Strategjia për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030, Manja: Besimi te drejtësia në fokus
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, prezantoi të martën Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030.
Ministri Manja në fjalën e tij, gjatë aktivitetit për prezantimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024-2030, nënvizoi se ky dokument është një premtim i mbajtur, teksa theksoi se fokusin e ka tek ndarja e përgjegjësisë, parandalimi dhe mbi të gjitha rritjen e besimit tek drejtësia.
Ai tha se kjo strategji është e para e kësaj natyre dhe se është hartuar plotësisht në përputhje me Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Viktimave 2020-2025.
“Shqipëria është vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që do të ketë një Strategji të posaçme dedikuar viktimave të krimit. Objektivi madhor i kësaj strategjie është: adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprave penale në tërësi, si dhe viktimave me nevoja specifike mbrojtjeje”, tha Manja.
“Kjo strategji qartëson zinxhirët e përgjegjësisë dhe mjetet për realizimin eficent të të gjithë procesit të trajtimit dhe mbrojtjes së viktimës, duke nisur nga informimi i viktimës, trajtimi me dinjitet i saj, parandalimi i viktimizimit dytësor dhe riviktimizimit, mbështetja dhe mbrojtja për viktimat në çdo fazë të procesit dhe kur është e nevojshme, edhe pas përfundimit të procesit penal”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.
“Një prej prioriteteve tona kyçe është rritja e besimit të viktimave te drejtësia, si lajtmotivi që shoqëron të gjithë masat tona në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi. Masat e parashikuara në Strategji synojnë pikërisht krijimin e një mjedisi miqësor për raportimin e krimit, heqjen e barrierave për raportimin e krimit, shtimin e procedimeve penale, hetime më efektive dhe dënime penale proporcionale me rrezikshmërinë e veprave penale, dhe një sistem që garanton siguri për viktimën”, tha Manja.
“Strategjia prioritizon drejtësinë restauruese dhe ndërmjetësimin autor – viktimë, si mjete që kanë potencialin të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të paqshme”, vijoi Ministri i Drejtësisë.
Manja tha më tej se, “perspektiva gjinore zë një rol kyç në dokument, si mjet drejt korrigjimit të fenomeneve kriminale që shoqërojnë agjendën tonë kombëtare drejt barazisë gjinore. Për të arritur këto qëllime, Strategjia kërkon energji të shtuara për bashkëpunim ndërinstitucional nga të gjithë ne aktorët e përfshirë, duke nisur nga policia, prokuroria, gjykata, shërbimet e ndihmës juridike, sistemi penitenciar dhe shërbimet për viktimat”.
“Këto qëllime dhe masat e Strategjisë për forcimin e shërbimeve mbështetëse dhe mbrojtëse të viktimave që në kontaktet e para me sistemin e Drejtësisë ne i kemi degëzuar edhe në nivel vendor.
Për këtë është qartësuar detyrimi për bashkëpunim mes strukturave në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore për individët e të gjitha kategorive sociale që janë viktima të krimit.
Ky plan lokal është parashikuar si një projekt pilot në bashkinë e Tiranës, si bashkia më e madhe. Duke vëzhguar ecurinë e zbatimit të Strategjisë, do ta shtrijmë më tej edhe në njësitë e tjera vendore”, u shpreh Maja.
Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve në luftën kundër fenomeneve shkaktare dhe mbrojtjen e viktimave të krimit mbetet jetike.
“Ndaj duke nisur nga viti i ardhshëm do të fillojmë me organizimin e javës së dedikuar në mbrojtjes të viktimave të krimit, përkatësisht në shkurt të çdo viti, nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë”, përfundoi Manja.
Në këtë takim prezantues, të pranishëm ishin ambasadorë, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare nga shoqëria civile. Të pranishëm ishin edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Ball, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, si dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.




