Buxheti 2024, Manastirliu: Më shumë cilësi dhe gjithëpërfshirje në arsim
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu theksoi sot se buxheti 2024 do të garantojë më shumë cilësi dhe gjithëpërfshirje në arsim.
Në një postim në rrjetet sociale pas miratimit të buxhetit në Kuvend, Manastirliu tha se “buxheti garanton librat e shkollës falas për 231 mijë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë dhe për 16 kategori me rreth 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm e të lartë”.
Po ashtu, vijoi Manastirliu, buxheti garanton rritjen historike të pagave për 31 mijë mësues.
“Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe mësuesit ndihmës, psikologët në shkolla dhe edukatorët. Përfundimin e 30 shkollave dhe hapjen e kantiereve të reja për përmirësimin e infrastrukturës arsimore parauniversitare në të gjithë vendin”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “buxheti 2024 garanton financimin e një program të dedikuar për trajnimin e mësuesve, duke filluar me lëndët shkencore dhe të teknologji-informacionit, më shumë se 100 mësues ndihmës për arsimin special, si dhe transport falas për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.
“Buxheti garanton mbështetje studentore për mbi 50 mijë studentë, me bursa dhe reduktim të plotë apo të pjesshëm të tarifave, rritjen e mbështetjes së universiteteve me 40% të buxhetit për kërkimin shkencor dhe mbështetje për zgjerimin e ekipeve sportive në shkolla”, tha Manastirliu.
Kuvendi miratoi sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin e vitit 2024 me 74 vota pro dhe 4 kundër.


