BUXHETI 2024 MIRATOHET “NË TYM”/ Opozita hedh shashka e tymuese, policia mbledh provat në sallën e Parlamentit
Në më pak se 8 minuta mazhoranca miratoi buxhetin e vitit të ardhshëm, mes protestës shashkave dhe tymueseve të hedhura nga opozita. Demokratët arritën të fusnin në sallë lëndë piroteknike ndërsa e mbuluan foltoren me karrige
Deputetët e opozitës arritën edhe një herë të fusnin në sallë tymuese, madje këtë radhë edhe shashka.
Në nisjen e punimeve Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shigjetoi Sali Berishën si shkak i protestës.
Mes protestës së opozitës dhe tymit në sallë mazhoranca në 7 minuta e 42 sekonda arriti të miratojë buxhetin e shtetit, si dhe ndryshimet në paketën fiskale, taksat kombëtare dhe procedurat tatimore
Amendamentet e propozuara nga opozita u rrëzuan.
Më herët opozitarët u përlasën edhe me gardën në seancë teksa pranë foltores mblodhën karriget
Jashtë seancës Ervin Salianji theksoi se aksioni nuk ka të ëjë me një person, por për mohimin e të drejtave të opozitës.
“Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka vendosur flakën, parlamentit të Shqipërisë. Po funksionojnë në kushtet e një junte, ku forca fizike e gardistëve, e drejtuesve të Policisë, e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine që duket qartësisht se nuk po bashkëjeton në mënyrë demokratike, sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Në mënyrë tinëzare dhe me vrap, PS votoi buxhetin i cili për herë të parë godet shtresën e mesme, godet më të rëndësishme për qytetarët në një demokraci, taksim 21% të profesioneve të lira...
E patë dhe sot që kishte amendime nga deputetë të PD dhe u hodhën poshtë... Kush do që ne të bëhemi palaçot e Edi Ramës, ne nuk bëhemi dot. Kushdo që merr përsipër të bëhet palaço për ndonjë arsye tjetër, që mund të jenë arsye financiare apo të ndonjë përfitimi të drejtpërdrejtë, është i denjë për ta bërë.
Për të gjithë ata që hedhin broçkulla të tipit “po të ishit ju, çfarë do të ndodhte”, ja ku kishte mendime dhe i hodhën për dy sekonda se nuk pyet për Kushtetutë. Ne nuk po bëjmë betejë përveçse për mijëra njerëz që kanë miratuar këtë Kushtetutës. Nuk po lëmë që vendi të shkojë në një regjim të plotë”, deklaroi ligjvënësi demokrat, Ervin Salianji.
Pas largimit të deputetëve në seancë mbërriten edhe oficerët e policisë gjyqësore që siç duket nga këto foto mblodhen provat për ngjarjen.
Në seancë mungoi Sali Berisha dhe 5 deputetë të tjerë pasi u përjashtuan me 10 ditë nga parlamenti.



