EKSKLUZIVE/ PS çon në Kuvend draftin për ndryshimin e Rregullores: Deputetët “piromanë” të përjashtohen deri në 2 muaj
Një ditë pasi e paralkajmëroi kryeministri Edi Rama, Partia Socialiste ka çuar në Kuvend draftin për ndryshimin e Rregullores për “piromanët” e sallës plenare.
Sipas ndryshimeve të kërkuara në draft mësohet se socialistët kërkojnë se deputetët kaotikë të përjashtohen deri në 2 muaj nga punimet parlamentare si në seanca dhe në komisionet parlamentare nga, nga 10 ditë që është e parashikuar në rregulloren aktuale të Kuvendit.
Nisma u konfirmua edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi në përfundim të seancës kaotike të ditës së sotme.
A do të ulet në dialog mazhoranca me opozitën?
Bledi Çuçi: “Ne kemi propozuar disa ndryshime në rregullore dhe kemi marrë në shqyrtim disa rregullore parlamentare të vendeve të BE-së, Italia dhe Gjermania. Opozita është e mirëseardhur.
Kemi shumë forume ku jemi bashkë. Ne kemi komisione, sekretariate, kemi konferencë kryetarësh. Ata nuk vijnë. Ne jemi gati të dialogojmë me këto për mirë të shqiptarëve. Jemi atje kur të duan mund të ulemi. Nuk jemi ne që hedhim flakadanë”.

DEKLARATA E RAMES
Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se opozita ka një axhendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos e konflikt.
I ftuar në një studio televizive, Rama theksoi se maxhoranca nuk mund të zgjidhë dot një situatë e cila krijohet në mënyrë të qëllimshme.
“Janë agjenda totalisht të ndryshme. Nuk bëhet fjalë për programe të ndryshme elektorale, qëndrime të ndryshme për borxhin, qasje të ndryshme për punësimin apo pagat. Por, njëra është një axhendë normale pune qeverisëse, tjetra një axhendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos e konflikt me qëllimin final se do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe një lukuni e madhe luanësh do të përmbysin regjimin me dhunë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do ishte katastrofë.
“Po flasim për karrige, zjarre. Për momentin kemi vetëm instrumentin e rregullores së Kuvendit që do të duhet ta ndryshojmë. Ka disa propozime nga deputetët për të ndryshuar rregulloren. Sot për sot përjashtohesh 10 ditë, pas 10 ditësh përsëritet historia. Atje ne thjesht dhe vetëm qëndrojmë në vendet tona për aq sa e kemi të mundur dhe votojmë se nuk mundet të mos votojmë buxhetin, sepse përballë kemi njerëz që ndezin zjarre”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se mundësitë e maxhorancës janë deri aty ku është korniza kushtetuese.


