Berisha: Ka një revoltë të madhe dhe strukturat janë të gatshme kur t’u jepet sinjali për të filluar

Nga foltorja e selisë blu, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se mplani për mosbindjen civile është gati

Në një konferencë të posaçme për shtyp,m Berisha u shpreh se ka një revoltë të madhe dhe strukturat janë të gatshme kur t’u jepet sinjali për të filluar.

“Dy momente mund të theksoj. Së pari, është një bindje universale se në Shqipëri është instaluar diktatura dhe Shqipëria po jeton në kushtet e grushtit të shtetit brenda shtetit, të bërë nga Edi Rama duke marrë pushtetet parlamentit. Ky është grusht shteti brenda shtetit.

Së dyti, ka një revoltë të madhe dhe strukturat janë të gatshme kur t’u jepet sinjali për të filluar. Se kur, kjo do përcaktohet nga organet.

Nuk mund të them se do lihet pas festës apo para festave, por një gjë është e sigurt, ju do e mësoni në kohën më të parë kur shpallet. Asgjë nuk e dekurajon opozitën.

Taulant Balla është simbol i krimit në qeveri, është ikona e zezë e trafiqeve. Është përfaqësuesi më i shëmtuar i grupeve më të rrezikshme kriminale të Shqipërisë, me dokumente.

Kurse mosbindja civile në parlament është mënyra se si opozita po i përgjigjet grushtit të shtetit brenda shtetit nga puçisti Edi Rama.”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Po ashtu, Berisha nuk i kurseu akuzat edhe ndaj institucioneve të drejtësisë në vend, të cilat i akuzoi si pjesë integrale e krimit shtetëror dhe nuk kanë asnjë lidhje me ligjin dhe të drejtën.

“Të dërgosh dosje në SPAK për Edi Ramën, do të thotë të tallesh me ligjin dhe të drejtën. SKAP-i sot është një organ i kontrolluar në mënyrën më të pamëshirë, më denigruese nga Edi Rama.

Ju jeni dëshmitarë se si ai urdhëron larot e tij për të marrë pushtetin e parlamentit, të bëhen pjesë e puçit antikushtues të Edi Ramës dhe të përcaktojnë heqje lirie për dalje jashtë vendit për kryetarin e PD, pa marrë leje parlamenti.

Kur skapistët dhe gjykatësit kalojnë në një shkallë të tillë, ata janë pjesë integrale e krimit shtetëror dhe nuk kanë asnjë lidhje me ligjin dhe të drejtën. Ata janë një korporatë kriminale me qeverinë, që zbatojnë urdhra të tillë.

A mund të thuash fjalë të tjera për njerëzit e antiligjit?

E kam theksuar dhe e theksoj, Arben Kraja është ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës. Ligji aktual i prokurorisë së shtetit e nxjerr atë jashtë detyre. Por rri aty si laro i Edi Ramës për të zbatuar urdhrat që keni parë ju vetë.

Për të përcaktuar masa arresti dhe ndalimi për të dalë jashtë shteti për kundërshtarët politikë, të cilët nuk kanë shkelur asnjë ligj, asnjë nen.

Apo Melonai që për lidhjet e saj obskure me njërin nga eksponentët më kryesorë të krimit të organizuar në Shqipëri e rajon, Taulant Ballën, deklaron në sallën e gjyqit se korrupsioni konsumohet duke zbatuar ligjin.

Shpikja e një bande kriminale që shkelmon ligjin, që fuzionon amoralitetin me moralin, integritetin me depersonalizimin, një shërbëtore e mjerë e krimit dhe Edi Ramës.

Për të mos thënë për gjykatësen që fshihet prapa krimit të saj, që nuk ka asgjë të përbashkët me një gjykatëse, përveç fshehjes që bën prapa krimit të saj dhe aferave.

A jam i qartë tani në lidhje me problemin e SKAP-it? A mund të dërgohet apo jo, kjo nuk ka rëndësi të madhe.

Edhe mund të dërgohet sepse ekzistenca e institucioneve është një realitet dhe ato meritojnë të shpëtohen, njëlloj si Shqipëria, nga Edi Rama.

Se ato janë bërë pjesë e luftës politike të Edi Ramës ndaj opozitës”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha dha dhe nje mesazh për ndarjen nga jeta të artistit të madh të skenës shqiptare, Mirush Kabashi.

"Së pari, sot është një ditë zie për artin, artdashësin, kulturën tonë. Një gjeni i skenës shqiptare dhe filmit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë. Mirush Kabashi nuk është më.

Mirush Kabashi ishte një nga talentet më të rralla, një nga artistët më të shquar, më të talentuar të filmit dhe teatrit shqiptar. Ai interpretoi mbi 100 role, personazhe të veprave të autorëve tanë dhe botërorë. I interpretoi ata me mjeshtëri të madhe.

U bë i pavdekshëm me rolet e tij. Mirush Kabashi u nda nga ne si Sokrati i kohës sonë dhe u nis në përjetësi.
Duke shprehur ngushëllime më të ndjera familjes, të afërmve dhe të gjithë admiruesve të tij, u ftoj të nderojmë kujtimin e artistit të madh me një minutë heshtje", deklaroi këtë të martë ish-kryeministri Sali Berisha.