113 raste të reja me HIV/AIDS në Shqipëri/ 15 të prekur humbën jetën gjatë 2023-t. Ekspertët: Testimet shkëpusin zinxhirin e të infektuarve

113 raste të reja me HIV/AIDS janë zbuluar gjatë këtij viti në vendin tonë sipas Institutit të Shëndetit Publik, mes të cilëve edhe dy fëmijë!

70 % e të prekurve në total, janë burra ndërsa rruga kryesore  e përhapjes së infeksionit është ajo seksuale.  15 të prekur humbën jetën!

87 burra u konfirmuan me HIV/AIDS përgjatë një viti në Shqipëri! Përgjatë të njëjtes periudhë rezultuan të prekura edhe 26 femra! Në total, raporti i të prekurve në vendin tonë është është 70% meshkuj dhe 30% femra.

113 raste të reja me HIV/AIDS në Shqipëri/ 15 të prekur

Në Ditën Botërore kundër HIV/AIDS, ekspertët theksuan se vendi ynë ka një përhapje të ulët të virusit në krahasim me vendet e tjera!

Roland Bani, koordinator i programit HIV/ AIDS: “Numri i rasteve të reja të diagnostifikuara është 113, prej tyre 87 meshkuj dhe 26 femra, duke e çuar numrin në total të personave të diagnostifikuar në Shqipërisë në 1716 duke filluar që nga viti 1993 ku është shënuar dhe rasti i parë i diagnostifikimit”.

Po kush janë mënyrat që po infektojnë më së shumti shqiptarët?

Roland Bani, koordinator i programit HIV/ AIDS: “Rruga kryesore e transmetimit është ajo seksuale, 95 % e rasteve është seksuale, nga këto 72 % është hetero-seksuale, ndërsa 28 % i përkasin komunitetit që kryen seks me meshkuj”.

15 të infektuar me HIV AIDS e humbën betejen me sëmundjen përgjatë një viti,  8 prej të cilëve raste të reja!  Mes tyre edhe dy fëmijë!

Roland Bani, koordinator i programit HIV/ AIDS: “Këtë vit kemi pasur 15 vdekje, dhe 8 prej tyre i përkasin shtresave të reja. çka do të thotë se siç e thashë dhe në fillim kemi të bëjmë me paraqitjen e vonë të tyre”.

Roland Bani, Kordinator i programit të HIV-AIDS, thotë se medikamentet për trajtimin e sëmundjes nuk mungojnë, por thekson nevojën e testimeve!

Thekson se zbulimi i të prekurve jo vetëm shkëput zinxhirin e infeksionit, por u krijon atyre mundësi për trajtimet dhe mbështetjen e nevojshme!

Roland Bani, koordinator i programit HIV/ AIDS: “Numri i personave që marrin mjekim është diku rreth 835 përfshi dhe 12 fëmijë. Mjekimi jepet në Shqipëri falas që prej vitit 2004 dhe është i njëjti mjekim që ofrohet dhe në vende të tjera të botës”.