Hasani nënshkruan deklaratën e Shkupit: Lufta kundër korrupsionit, prioritet

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nënshkroi sot në Shkup deklaratën e Përbashkët për Luftimin e Korrupsionit në Evropën Juglindore përmes rikuperimit të aseteve dhe përdorimit të dixhitalizimit.

“Ndava të njëjtin mendim me Ministrin Osmani për rëndësinë e kësaj përpjekjeje përballë rreziqeve serioze që paraqet korrupsioni në rajonin tonë”, u shpreh Hasani në rrjetet sociale.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i qeverisjes së mirë për Shqipërinë është një prioritet brenda dhe jashtë vendit.

“Vendimi në Ministerialin e OSBE-së në vitin 2020 në Tiranë për “Për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit nëpërmjet dixhitalizimit dhe rritjes së transparencës” është një shtyllë strategjike e dimensionit ekonomiko-mjedisor të OSBE-së”, u shpreh Hasani.

Ministrat nga rajoni kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit në Evropën Juglindore përmes konfiskimit dhe digjitalizimit të aseteve, të enjten gjatë Këshillit Ministror të OSBE-së, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.