Mediu kërkon ndjesë: Por s’kam faj. Për Gërdecin moralisht dhashë dorëheqje, nuk kam përgjegjësi ligjore!

Në dëshminë e dhënë në GJKKO, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, theksoi se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për shpërthimin tragjik në Gërdec. Megjithatë, ai shtoi se si akt moral e ka dhënë dorëheqjen, ndërsa edhe një herë u kërkoi ndjesë familjarëve të viktimave dhe të të lënduarve. Po ashtu, ai shtoi se nuk është marrë në pyetje ndërsa cështja është gjykuar një herë deri në gjykatën e lartë

Ish-ministri i Mbrojtjes nën akuzë për shpërdorim detyre në shpërthimin tragjik të Gërdecit që solli 26 viktima, zgjodhi të fliste vetë këtë të enjte para gjykatës.

Duket se veprimin e ka bërë pas përfundimit të dëshmive të familjarëve të viktimave dhe të dëmtuarve.

Edhe në fjalën e tij ai theksoi se ka dhënë dorëheqjen tre ditë pas ngjarjes duke ndjerë përgjegjësi morale, por shtoi se nuk ka folur mbi çështjen për të mos lënduar familjarët.

Fatmir Mediu: “Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj”.

Megjithatë ai shton se për të dëmtuarit shteti është përgjegjës se nuk mbrojti viktimat, e për ta ministri I mbrojtjes është shteti. Megjithatë ai shton se hetimi I nisur është I padrejtë pasi është gjykuar një herë.

Madje duke thënë se në Gjykatën e Lartë ka kërkuar që të vijonte gjykimi deri në zbardhjen e plotë.

Por tashmë, shprehet ai akuza për shpërdorim detyre është parashtruar ndërsa thekson se në process nuk ka prova të reja

Fatmir Mediu: “Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, qëi largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?! Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë".

Në GJKKO dha dëshminë dhe Gjeneral Bardhyl Hoxha, i cili argumentoi se përse u refuzua demontimi në Bërzhitë. Por edhe ish-punonjës që shtuan se e konsideronin demontimin aktivitet privat.

Në procesin ndaj Mediut dëshmoi ushtaraku, Viktor Përshqeta, i cili tha se ka qenë Oficer Armatimi (Municioni) aktiv për 27 vjet (specialist municionesh).

“Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit.  Me urdhër të eprorëve kam shoqërusr një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një invetanrizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug.

Më ka thirrur në lidhje me urdhërin 20-44, ma ka lexuar urdhërin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune.

Ka patur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 të urdhërit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhërin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu”.

I pyetur nga avokati i Mediut: “Pse thoni se shefi është Mediu? A nuk është shefi juaj, eprori juaj?”

Ai i përgjigjet: “Në zhargonin e zyrës me “shef ose shef i madh” nënkuptonim Ministrin e Mbrojtjes, sepse shefit të shtabit i drejtoheshim me “Gjeneral””.