Të jetosh nën frikë, 7 anëtarët e familjes në një ambient me djalin e sëmurë e të dhunshëm

Familja Gjata prej vitesh jeton nën frikën se djali i tyre i sëmurë mund të godasë ndonjë prej të vegjëlve të shtëpisë. Fati e ka sjellë që ai të dëmtohet pas një temperature të lartë, por në mundimet që i sjell varfëria shprehen se nuk mund t’i plotësojnë dot të gjitha kushtet. Ndaj apeli i tyre shkon te ndihma e shqiptarëve.

Ky është Florenc Gjata 32 vjeç.

Lindi fëmijë i shëndetshëm por në muajin e tretë të jetës së tij kaloi një temperaturë duke e lënë atë me pasojë.

Vuan nga epilepsia dhe prapambetje mendore.

Nëna e tij e sëmurë dhe me problemet e moshës tregon se ndër vite gjendja e tij është përkeqësuar.

Në shtëpi jetojnë 7 persona mes të cilëve dhe dy fëmijë të vegjël të cilët ndihen të rrezikuar nga qëndrimi në një dhomë më Florencin që shpesh është agresiv.

Për 32-vjeçarin kanë krijuar një ambient të ndarë, por është e pa rregulluar ndaj zonja e shtëpisë kërkon ndihmë.

Përshtatja e dhomës për Florencin do të krijonte më shumë siguri për të vegjëlit, e po ashtu do ti krijonte sado pak kushte 32-vjeçarit.