Shisnin makinat e marra me qira, skema zbulohet në Elbasan, të përfshirë edhe punonjës të DPSHTR
Një skemë mashtrimi është zbuluar në Elbasan, ku punonjës të drejtorisë së shërbimit rrugor rezultojnë të përfshirë në ndryshimin përmes dokumenteve të falsifikuara të makinave të marra me qira.
Policia ka zbuluar një skemë mashtrimi në drejtorinë e shërbimit të transportit rrugor në Elbasan.
Duke shpërdoruar detyrën pasi merrnin me qira makina ndryshonin pronësinë përmes falsifikimit të dokumenteve. Pas këtij veprimi mjetet hidheshin në treg ku edhe janë shitur kundrejt një vlere prej 20 mijë eurosh.
Për operacionin bëhet e ditur se janë zbuluar tre raste, ku çdo veprim është realizuar pasi u janë hequr edhe gjurmuesit GPS që kompanitë u vendosnin makinave të lëshuara me qira.
Sipas deklaratës për mediat dy shtetasit Th. B. 37 vjeç dhe R.L punonjës në drejtorinë e shërbimit rrugor paraqiteshin te subjektet për të marrë makina.
Ndërsa Dyshohet se në bashkëpunim me I.B vepronin duke ndryshuar pronësinë përmes falsifikimit.
Ndërkohë në reagimin e drejtorisë së shërbimit rrugor, përjashtohet mundësia e përfshirjes së kësaj të fundit, duke shtruar pistën se kolegu i saj R.L ka vepruar privatisht, duke paraqitur në dy raste në organet përkatëse praktika të noterizuara.
Për rastin e tretë drejtoria e shërbimit rrugor sqaron se lidhet me dyshim për përgjegjësi penale të shitësit pa autorizim korrekt.
Teksa raportohet se I.B është paraqitur vetë në organet e policisë për të sqaruar pozicionin e saj, policia bën me dije se është arrestuar Th. B. dhe vijojnë kërkimet për arrestimin e punonjësit tjetër të drejtorisë së shërbimit rrugor.
Policia ka bërë të ditur se ka marrë masa edhe duke sekuestruar tre mjetet të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet si dhe 3 aparate telefonike që do ti nënshtrohen edhe verifikimeve për të zbuluar komunikime të mundshme.
