KLP: Mos kërcënoni prokurorët! Berisha: Do të denoncoj çdo padrejtësi, për t’i dërguar një mesazh kreu të KLP-së..

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është shprehur i shqetësuar për sulmet e Sali Berishës ndaj prokurorëve të SPAK, ndërkohë garda e republikës i ka shtuar numrin e rojeve personale gjyqtares Irena Gjoka. Berisha nga ana tjetër tha se do të vijojë të denoncojë çdo padrejtësi!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar të premten ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili ka hedhur akuza ndaj prokurorëve të SPAK.

KLP shprehet e shqetësuar ndaj këtyre sulmeve.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.”

Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se nuk do të hesht përballë skandaleve, ndërsa kishte një porosi edhe për kreun e KLP-së Alfred Balla.

“Jam detyruar që të denoncon banda dhe lidhje me krimit të qeverisë. Për t’i dërguar një mesazh kreu të KLP-së dhe Gjokës, që t’i tregojë të vërtetën ministrit të drejtësisë se ajo është e njëjta me emrin e vajzërisë dhe martesë.

Së fundmi Garda e Republikës i ka shtuar 2 truproja gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka duke e çuar numrin nga 4 në 6, ndërsa ajo është akuzuar nga Berisha për shkelje jo vetëm të ligjit por edhe për lidhje kriminale.

Berisha kishte një koment edhe për këtë situatë.

Në konferencën për gazetarët Sali Berisha vijoi të sulmonte kryeministrin Edi Rama në lidhje me disa prona që sipas tij janë dhënë në shkelje të ligjit.