Rama: 4 mijë vende të lira në sistemin e arsimit profesional
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aktualisht ka rreth 4 mijë vende të lira në sistemin e arsimit profesional.
Kryeministri Rama mori pjesë sot në takimin e organizuar me drejtues të shkollave të arsimit profesional, drejtues rajonal të sistemit parauniversitar dhe drejtues të zyrave arsimore, i cili mbahet në vijim të takimeve të zhvilluara me gjimnazet, me shkollat e mesme profesionale, me biznese, prindër e nxënës në kuadër të promovimit të arsimit profesional.
“Ne duhet të thithim 4 mijë nxënës në arsimin profesional. Nevojat janë shumë më tepër por do të na duhet të kemi infrastrukturën për më tej. Me infrastrukturën ekzistuese kemi 4 mijë mundësi për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të përgjithshme. Kjo kërkon një aktivizim të shpejtë, sistematik dhe integrim të plotë të punës së Drejtorive Arsimore me shkollat e arsimit profesional”, tha Rama.
Kryeministri informoi se varësia e dyfishtë e shkollave të arsimit profesional do të jetë e formalizuar. “Shkollat e arsimit profesional janë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave por i gjithë aktiviteti tjetër ku shkollat profesionale kanë të nevojshme mbështetjen e Drejtorisë Arsimore duhet të jetë në varësi dhe përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, shtoi ai.
Rama theksoi se detyra e drejtorive arsimore është sensibilizimi i prindërve dhe nxënësve për “pse-në” e arsimit profesional.
“Këtu bëhet fjalë për të gjetur më të mirën për një numër të konsiderueshëm fëmijësh dhe për t’i dhënë atyre një mundësi në jetë, për t’i dhënë atyre një zanat dhe për t’ju hapur një perspektivë por kjo do të thotë, njëkohësisht, edhe për të ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sipërmarrjet.
Kryeministri theksoi se tregu i punës është në kufirin e lëngimit ndaj nuk ka kohë për të pritur.
“Sot hotelet në Shqipëri janë gati të japin edhe më shumë pagesë, por sigurisht, duan të kenë dhe cilësi, jo thjesht njerëz që vijnë atje dhe nuk dinë të lidhin përparësen, por njerëz që kanë marrë një edukim”, tha ai.
