Ndërron jetë Zef Deda/ Jul Deda jep lajmin e trishtë: Me dhimbje të thellë..
Aktori i mirënjohur i humorit, Zef Deda është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 73-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka dhënë mes dhimbjes edhe djali i tij, Jul Deda me anë të një postimi në rrjetet sociale.
"Me dhimbje të thellë, ju njoftoj për ndarjen nga jeta të babait tim, Zef Deda.
Homazhet do të bëhen nesër (e shtunë, 25 nëntor) në hollin e teatrit "Migjeni", që ishte edhe shtëpia e tij e dytë, duke filluar nga ora 09:00. Pas homazheve, në orën 13:00, kortezhi niset për meshën e dritës, më pas përcjellja për në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit", ka shkruar Jul Deda.
Mësohet se aktori prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Zef Deda cilësohet si një nga humoristët më të mirë të Shqipërisë, ku ka spikatur për rolin Charlie Chaplin. Ka lindur në Shkodër më 27 korrik 1950.
Është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vite në teatrin "Migjeni" të Shkodrës.
Zef Deda la pas bashkëshorten Rozina Deda dhe dy djemtë, Julian Deda dhe Marjan Deda.
View this post on Instagram
