Ishte nisur nga Durrësi për ta takuar, aktori Edmond Halili mes lotësh: Sot shkova te dera e shtëpisë, por kishte ndërruar jetë...
Aktori i njohur i humorit, Edmond Halili mes lotësh ka treguar se si e ka mësuar lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Zef Deda, pikërisht sapo kishte shkuar në derën e shtëpisë së tij.
Halili tha se kishte shkuar ta takonte, por nuk e gjeti dot gjallë Zefin, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.
"Sot në mëngjes u nisa nga Durrësi për ta takuar. E dija që ishte i sëmurë sepse bëra një shfaqje në Shkodër se takova dot sepse ishte i zënë.
Sa shkova tek dera e shtëpisë, doli një infermiere i thashë si është Zefi, tha "Zefi dha shpirt". Më erdhi shumë keq, e kisha shokë të vjetër. Është një dhimbje e madhe, është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar.
Jam me lot në sy, çfarë të them unë i shkreti. Ka qenë i mrekullueshëm. Nuk bën nëna me Zef", tha ai për News24.
Zef Deda vuante nga një sëmundje e rëndë prej gati 1 viti. Por aktori humbi “betejën” me sëmundjen mëngjesin e sotëm, duke u ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
