Pas Melonit edhe Rama nxiton të kalojë paktin e refugjatëve, Kuvendi merr në shqyrtim draftin
Marrëveshja e firmosur nga kryeministri, Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni pritet të futet ne axhendën e Kuvendit, për të nisur shqyrtimet në Komisionet Parlamentare dhe më pas për t’u votuar në seancë.
Socialistët e kanë përfshirë marrëveshjen me Italianë, që parashikon ngritjen e dy kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës.
Drafti do të miratohet sot në Konferencën e Kryetarëve, ndërkohë që maxhoranca duhet të vendosur për ta çuar deri në fund si nismë, edhe pse ajo ka patur shumë zëra kundër në arenën ndërkombëtare.
Duket se marrëveshja do shqyrtohet online, si buxheti i shtetit, i cili u miratua në parim pa prezantim dhe pa debate, për herë të parë në gjithë këto vite.
Ndërkohë që kriza politike po bën që dhe punimet normale të Komisioneve Parlamentare të mos zhvillohen në praninë fizike të deputetëve, por vetëm online.
Kryeministri Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaruan disa ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp se mijëra refugjatë që zbarkojnë në brigjet italiane do të strehohen në Shqipëri, në pritje të trajtimit të aplikimit të tyre për azil.
Të dy kryeministrat pozuan para kamerave duke firmosur një marrëveshje, që ndonëse shkaktoi një ortek reagimesh në Shqipëri, vazhdon të mbetet e panjohur për opinionin publik.
