Marrëveshja Rama-Meloni, ministri italian: Jo më shumë se 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë

“Marrëveshja Itali-Shqipëri është një pjesë e rëndësishme në strategjinë e përgjithshme të qeverisë, në një kontekst ndërkombëtar të paqëndrueshmërisë në rritje, që rrezikon rritjen e flukseve migratore dhe tregun e trafikantëve. Një treg që vazhdon të përfitojë nga dëshpërimi dhe të marrë viktima, siç tregohet nga mbytja e  anijes që ndodhi dje në brigjet e Lampedusa”.

Ka qënë kjo deklarara e ministrit të jashtëm të Italisë Antonio Tajani mbi marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë për emigrantët.

Ai nënvizoi se Italia synon “një qasje të ndryshme në menaxhimin e flukseve migratore dhe një luftë këmbëngulëse kundër trafikimit të qenieve njerëzore që janë prioritet absolut për qeverinë.

“Protokolli përcakton se në të dy qendrat mund të jenë të pranishëm në total jo më shumë se 3000 emigrantë në të njëjtën kohë. Dhe se emigrantët mund të mbërrijnë në portin shqiptar vetëm me anije të autoriteteve italiane, të përfshira në operacionet e shpëtimit”. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm Antonio Tajani në Parlament në komunikimin e tij për marrëveshjen.

“Nuk do të jetë e mundur të tërhiqen skafet e kontrabandistëve dhe as të drejtohen anijet e administruara nga organizata joqeveritare drejt Shqipërisë. Emigrantët do të kenë saktësisht të njëjtin trajtim të parashikuar nga rregulloret italiane dhe evropiane”, sqaroi Tajani.

“Parandalimi i largimeve të parregullta, forcimi i kufijve të jashtëm, luftimi i kontrabandistëve, përmirësimi i sistemit të riatdhesimit, zgjerimi i kanaleve legale të migracionit, mirëpritja e atyre me të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare: këta janë përbërësit kryesorë të qasjes së re që ne po përpiqemi të vendosim në Evropë”. dhe “në këtë kuadër futet protokolli i bashkëpunimit me Shqipërinë”, shpjegoi Tajani, duke folur për një “vend mik dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, një vend që ne do të vazhdojmë ta mbështesim në aspiratat e tij për t’u anëtarësuar në BE.