''Bëni diçka, merrni diçka'', Lajçak porosi Kosovës dhe Serbisë: Zbatoni marrëveshjet!
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak ka thënë se të dy vendet duhet të angazhohen në zbatimin e marrëveshjeve sipas parimit; Bëni diçka që të merrni diçka!
Miroslav Lajçak ka thënë se si Kosova edhe Serbia duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
I dërguari i posaçëm i BE-së për Dialogun mes dy vendeve është shprehur se zbatimi i marrëveshjes duhet të përparojë nga Serbia dhe Kosova, duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi paralelisht.
Duke përmendur takimet e javës së kalaur me kryenegociatorët të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Lajçak ka zbuluar temat që kanë diskutuar me Bislimin dhe Petkoviqin.
''Të enjten prita dy kryenegociatorët në Bruksel. Diskutuam një sërë temash – Statuti, Plani Implementues, Energjia, Targat, Zgjedhjet dhe Personat e Pagjetur.
Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një veprim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim“, ka shkruar ai në Facebook.
Lajçak duke komentuar takimet që kishte gjatë kësaj jave, ka përmendur udhëtimin e tij në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petkoviq.
“Diskutimet tona ishin vazhdimësi e përpjekjeve tona për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.
''Ngjashëm me diskutimet tona në Kosovë, ne trajtuam edhe çështje të tjera urgjente në dialogun e lehtësuar nga BE, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitje për takimit të kryenegociatorëve.
Në diskutimet tona, theksova se zbatimi i marrëveshjes duhet të përparojë me të dyja palët duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
Të mërkurën pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
Ende nuk dihet e kur do të mbahet takimi i radhës në nivele të larta mes Kosovës dhe SERBISË por tanimë është e qartë se Pala kosovare ka në tavolinë drafin përfundimtar të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
