Lufta te portat? BE ndan shqetësimin e Zelenskyt: Rusia po përpiqet që të destabilizojë Ballkanin

Bashkimi Evropian ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi i për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano theksoi se është pikërisht kjo arsye që BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që mund të përballen me këto kërcënime kur u pyet për këtë çështje

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera.”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha për mediat m 15 nëntor se Ukraina ka prova të synimeve të Rusisë për të nisur një luftë midis vendeve të Ballkanit.

"Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani", tha Zelensky.

Stano nuk pranoi të komentojë më shumë nëse Zelensky ua ka përcjellë informatat e tij, por ka shtuar se “BE-ja është e vetëdijshme se çfarë po tenton të bëjë Rusia në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne nuk i komentojmë informatat, të cilat i shkëmbejmë me partnerët. Prandaj, jemi në kontakt me partnerët edhe në Ballkan për këtë”, tha ai duke shtuar se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Paralajmërimet e Zelenskyt për mundësinë që Rusia të provokojë konflikt në Ballkanin Perëndimor i kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç

Ata thanë se “përgjigja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.

Plenkovic theksoi edhe sulmin e fundit të, siç e ka quajtur ai “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si dëshmi se si mund të eskalojë situata në rajon.