Aleatë të ndarë në parlament, Meta: PS po shkatërron parlamentarizmin, opozitës i cenohet e drejta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli në mbështetje të aksionit të Partisë Demokratike por pa dhënë një përgjigje nëse do ti bashkohet edhe Partia e Lirisë. Gjatë një konference për mediat, Meta doli kundër projektbuxhetit të vitit 2024, duke u shprehur se po rëndon qytetarët edhe më shumë.

Teksa Partia Demokratike vijon me bllokimin e punimeve të parlamentit, Partia e Lirisë, një prej aleatëve kryesorë ka zgjedhur të mos i bashkohet aksionit,por bashkëpunimi mes palëve vijon.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndonëse nuk dha një përgjigje konkrete nëse deputetët e tij do t’i bashkohen aksionit, ai akuzoi qeverinë se politikat e gabuara kanë cenuar të drejtën e opozitës.

Meta: Nuk është opozita që ka kapur parlamentin, por qeveria e ka shndërruar atë në një noter të saj dhe ka asgjësuar parlamentarizmin. Parlamenti duhet të zhbllokohet, të përmbushë misionin e vetë. 

Gjatë një konference për mediat kreu i PL-së, shprehu dhe rezervat e tij për projektbuxhetin e vitit 2024. Sipas Metës, ky buxhet synon falimentin e bizneseve të vogla ndërsa gjithashtu u shpreh se rritja e çmimeve po shkon në nivele alarmante.

Meta: Paketa e re fiskale do të ketë efekte negative, dhe tatim të të ardhurave deri ne 23 përqind për profesionet e lira. Ky buxhet ul shpenzimet sociale dhe nuk ka rritje për pagesat e papunësisë apo të pensioneve. Shpenzimet për financimin e PPP-ve do të rriten me 136 mln euro, ndërkohë që shumica e tyre janë në hetim. Dua të nënvizojë rrezikun e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Rritja dyshifrorë e frutave dhe perimeve, janë pjesë e shqetësimeve të konsumatorëve.

Rritja e karburanteve dhe zhvlerësimi i euros për ish-presidentin është një tjetër faktor që shkakton varfërimin e shqiptarëve.