Prof. dr. Ke Jing vlerësohet me diplomën e anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Prof. dr. Ke Jing, albanologe, studiuese e letërsisë, gjuhës, identitetit dhe kulturës shqiptare, drejtuese projektesh albanologjike, përkthyese e letërsisë shqipe në gjuhën kineze, u vlerësua sot me diplomën e anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua dhe ceremonia e dorëzimit të diplomës së anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në ceremoni merrnin pjesë anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës kineze në Shqipëri, zëvendësrektori i BFSU, prof. dr. Jia Dezhong si dhe staf akademik i BFSU.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij theksoi se në rrugën e vështirë të albanologjisë, profesore Ke Jing hyri shumë vite më parë, qysh me mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e Luisvillit në SHBA (Louisville University), me një studim monografik kushtuar veprës së Ismail Kadaresë dhe identitetit kombëtar shqiptar vështruar përmes të ndryshmit të pranishëm në këtë vepër, me titullin “Katër të tjerët në veprën e Kadaresë: një studim mbi identitetin shqiptar”.
Për disa vite me radhë profesore Ke Jing ka drejtuar katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, duke e ringritur atë nga themelet dhe duke e shndërruar në qendrën më të madhe të albanologjisë në Azi, konkurrente për veprimtarinë e saj cilësore në kuadër të albanologjisë botërore.
Akad. Gjinushi, shtoi se përveç hartimit të teksteve bazë të mësimdhënies universitare për gjuhën shqipe, letërsinë, kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar, me kujdesin e saj pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit u ngrit Qendra e Studimeve Shqiptare, e cila publikon rregullisht buletinin e vet shkencor dhe informues, me titullin “Syri i kaltër”.
Prof. dr. Ke Jing është themeluese e projektit universitar “Shqip plus”, që synon orientimin e studimeve drejt gjuhëve të tjera të Ballkanit përmes shqipes. Fjalori shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip me rreth 80 mijë fjalë (në të dyja gjuhët), i botuar para pesë vjetësh, është një arritje e madhe leksikografike e saj dhe e bashkëpunëtorëve që e kanë realizuar.
Kandidatja Ke Jing, vazhdoi akad. Gjinushi, është bashkëdrejtuese e projektit për botimin e 25 titujve nga letërsia dhe shkenca shqiptare në gjuhën kineze dhe drejtuese e një skuadre përkthyesish nga më të zotët ndër disa breza, që po krijojnë një minibibliotekë të librit shqip në Pekin, duke filluar nga poema” Milosao” e Jeronim De Radës, deri te veprat e akademikëve tanë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Arben Puto e Fatos Kongoli.
Me ndikimin e saj shkencor e intelektual, afërsisht 60 personalitete të letërsisë shqipe do të zënë vend në botimin e ri të “Enciklopedisë Kineze” të letërsisë.
Prof. dr. Ke Jing është pjesëmarrëse e rregullt dhe profesore e ftuar si albanologe në konferenca dhe ngjarje shkencore ndërkombëtare kushtuar problematikave të kulturave e qytetërimeve në Ballkan.
Prof. dr. Ke Jing u bë anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me motivacionin: Albanologe e mirënjohur, me studime të thelluara cilësore në çështje të historisë së letërsisë, të gjuhës, të kulturës e të identitetit shqiptar; nismëtare e drejtuese e suksesshme projektesh shkencorë dhe kulturorë për njohjen dhe përurimin e trashëgimisë së qytetërimit shqiptar në vendin e saj dhe në një shkallë më të gjerë; figurë qendrore e studimeve shqiptare në Kinë dhe autore referenciale për çështje të karakterit të ekspertizës albanologjike; me një rol vetjak shumë të rëndësishëm për paraqitjen sistematike dhe me realizëm e përgjegjësi të arritjeve, vlerave dhe meritave të shkollës kineze të studimeve shqiptare në mjedise ndërkombëtare; profesore e drejtuese kërkimesh në shkallë të formuesit të specialistit në albanologji; përkthyese e editore pasionante dhe mike e botës shqiptare.
