Vatnikaj: Dritan Rexhepi sajoi një sëmundje për të dalë nga burgu, 6 mjekë në Ekuador u arrestuan pasi i dhanë kartela

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj ishte i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News ku u diskutua për arrestimin e Dritan Rexhepit në Turqi i cili cilësohet edhe si baroni i drogës. Vatnikaj u shpreh se Dritan Rexhepi për lirimin nga burgu ka përdorur metodën e sajimit të një sëmundjeje, ku për këtë fakt 6 mjekë në Ekuador janë arrestuar pas i kanë dhënë Rexhepit kartela mjekësore ku ky i fundit është shtirur si një person i sëmurë.

‘’Dritan Rexhepi ka përdorur metodën që për lirimin nga burgu ka sajuar një sëmundje. Përvec dënimit për trafik droge ka edhe një dënim tjetër në Ekuador për falsifikim të dokumentave.

Dritan Rexhepi ka cuar në pranga edhe 6 mjekë në Ekuador të cilët i kanë dhënë kartela mjekësore duke u shtirur si një person i sëmurë.

Ai duhet të vuante dënimin deri në vitin 2027 në Ekuador. Që në momentin e lirimit nga Burgu ai ka lëvizur nga Ekuadori dhe kartelet e tij janë firmosur nga persona të tjerë’’, tha ndër të tjera Vatnikaj.