Strasburgu për ‘’21 janarin’’, Qyno: Vendimi hedh hije dyshimi mbi aftësinë e drejtësisë shqiptare
Gazetari i Ora News, Elton Qyno përmes një lidhje ‘’Skype’’ në Ora News foli për vendimin e gjykatës së Strasburgut për rastin e ‘’21 janarit’’. Qyno u shpreh se vendimi i gjykatës së Strasburgut për 21 janarin hedh hije dyshimi mbi aftësinë e drejtësisë shqiptare.
‘’Në fakt gjykata e Strasburgut ka konkluduar me një vendim i cili pak a shumë është i njëjti edhe me vendimet që kanë marrë gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë por edhe gjykatës së Lartë në Shqipëri.
Është një vendim i cili dashur pa dashur hedh hije dyshimi dhe paaftësie për drejtësinë shqiptare dhe aftësinë e saj për të zbardhur një ngjarje kriminale të ndodhur në qendër të Tiranës.
Njëkohësisht është një vendim i cili detyron dhe stimulon të gjitha institucionet shqiptare për të kryer hetime të thelluara, të pavarura dhe të rrisin këmbënguljen për sa i përket zbardhjes së kësaj ngjarje kriminale’’, tha ndër të tjera Qyno.
