Pas dëshmisë së Luftar Reçit, SPAK lexon 60 faqe deklarime të Adriatik Colit, në gjyqin kundër Shullazit dhe 6 të tjerëve
Një dëshmi prej 60 faqe e dhënë në vitin 2005 nga ish-i penduari i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adriatik Coli, është lexuar në seancën e djeshme gjyqësore, që po zhvillohet në gjykatën e Posaçme, kundër Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Indrit Taullaut, Plaurent Dervishaj, Luftar Reçit, Viktor Imeraj dhe Indrit Rusit.
Dëshmia e Colit, u lexua nga dy prokurorët e çështjes, për shkak se gjykata nuk mundi të gjejë përmes fletë-thirrjeve, vendndodhjen e ish-anëtarit të bandës së Durrësit, i dënuar si bashkëpunëtor Drejtësie me 8 vite burgim.
Për më shumë se 1 orë, i gjithë proces-verbali i deklarimit të Adriatik Colit, është lexuar në seance gjyqësore, ku interes pati më tepër në pjesën kur Adriatik Coli, flet për është vënë në dijeni se ishte vrarë, shoku i tij, Klodian Saliu në Durrës.
Coli ka treguar se nga qyteti i Durrësit është nisur drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, ku aty ishte takuar me shokët e tij, duke mësuar lajmin e vdekjes. Më pas bashkë me Indrit Doklen, Leonard Kokën, janë kthyer në qytetin e Durrësit.
Coli, në dëshminë e tij nuk jep një emër real se kush ishte pjesëmarës në vrasjen e Klodian Saliut, por ka treguar se për këtë vrasje ai dhe Indrit Dokle, kanë dyshuar tek Lulzim Berisha dhe Indrit Taullai.
Veç këtij proces-verbali, në seancën e djeshme janë lexuar dhe deklarimet e të dënuarit Indrit Dokle, i cili gjatë fazës së hetimit të krimeve të Bandës së Durrësit, ka pohuar se nuk ka asnjë informacion se kush ishin autorët e vrasjes së shokut të tij, Klodian Saliu, ngjarje kjo e ndodhur në 25 shkurt 2005 në Durrës.
Pas përfundimit të leximit të deklarimeve të Dokles, prokuroria ka vijuar me leximin e thënieve në seancë gjyqësore të Irena Isufit, të dashurës së Klodian Saliut, shoqes së Irenës Enkeleda Hoxha dhe dëshmitarit tjetër Ilir Nikolli.
