Deputeti Erion Braçe: Spitali i Lushnjës në gjendje katastrofike, projekti është kohë e humbur
Deputeti Erion Braçe ka ngritur sot shqetësimin për gjendjen e keqe të spitalit të Lushnjes. Braçe në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, u shpreh se spitali është në pikë të hallit dhe se në disa njësi administrative nuk ka as qendra shëndetësore. Ndërkohë që Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu theksoi se në vitin 2025 fillon rikonstruksioni për spitalin e Lushnjes.
“A e dini që spitali i Lushnjes është në një gjendje katastrofike. Kam përshtypjen që do të lemerisej mileti po t’ju sillja pamjet nga sallat e operacioneve të spitalit të Lushnjës. Keni një rreth që është më i madh se tre qarqe që ka nevojë për një spital se është në pikë të hallit. Njësia administrative Rremas nuk ka qendër shëndetësore, dhe të moshuarit ndjekin doktorin nga pas për të firmosur recetat për të marrë ilaçet për rimbursim. E njëjta gjë është në njësinë administrative Bubullimas, ka nevojë për qendër shëndetësore. Nuk dua t’ju jap pamje se do vinit duart në kokë. Të harxhosh një vit për të bërë projektin e rikonstruksionit mua më vjen keq por është kohë e humbur”, tha Braçe.
“Spitali i Lushnjës është parashikuar për vitin 2024 për tu hartuar projekti dhe në 2025 fillon rikonstruksioni. Po kështu edhe për të dyja qendrat shëndetësore”, tha Koçiu.
Po ashtu Braçe ka propozuar që periudha e ciklit menstrual për gratë dhe vajzat të njihet si sëmundje dhe të paguhet nga buxheti i shtetit.
“A ka mundësi që grave dhe vajzave tu njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundje dhe e paguar. Raport i paguar nga buxheti i shtetit, pasi po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë që nuk kushton shumë, që duhet kalkuluar të përfshihet në iniciativat e ministrisë së Shëndetësisë. E dyta, a ka mundësi që paketën higjeno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin ta përjashtojmë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit, se nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. Nuk po kërkoj atë që po bën Evropa që ta paguaj qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj që të përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit”, tha Braçe.
