Buxheti 2024 me skype/ Nuk mungojnë incidentet, teknika nxjerr zbuluar deputetët. Bujqësia me ulje, Shëndetësia e kënaqur

Mazhoranca ka vijuar me diskutimin online të buxhetit të vitit të ardhshëm. Këtë të hënë nuk munguan as incidentet me teknikën dhe as përplasjet me opozitën. Në raportime Ministria e Bujqësë deklaroi se fondi për subvencionimet do të rishihen në korrik, ndërsa shëndetësia vlerësoi shtesën me mbi 3 për qind

Komisionet parlamentare kanë vijuar diskutimet e buxhetin online. Nga shtatë prej tyre vetëm ai i Sigurisë Kombëtare u zhvillua në sallë.

Sërisht u krijuan përplasje me mazhorancën, ku Flamur Noka u ul në vendin e kryetarit dhe Gazment Bardhi ay ku duhej të ishte kryetarja e SHISH Vlora Hyseni.

Por nuk munguan as incidentet, kur deputetët nuk mund të aksesonin online.

Në Komisionin e Ekonomisë Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj pranoi se ka një ulje të buxhetit për subvencionet, por fondet do rishikohen në 2024.

Anila Denaj: Buxheti 2024 për Bujqësinë adreson një fond prej 14.18 miliardë lekë dhe mbështet 9 programe zhvillimore në të gjithë sektorët e saj. Do të zbatojmë programet tona për: Rritjen e pagave; Zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin; Përmirësimin e infrastrukturës së Ujitje-Kullimit;

Fuqizimin e sigurisë ushqimore; Rritjen e Financimit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes;

Menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit; Këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerëtVitet e fundit u tregua shumë qartë se mbështetja përmes skemave nacionale synonte mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve por njëkohësisht edhe formalizimin e tyre fondi i skemës ka pasur një hop cilësor në dy këto aspekte. Nga 8 mijë fermerët të mbështetur në 2010 sot në 2023 jemi me një mbështetje të 65 mijë fermerëve, kjo falë edhe mbështetjes më të fundit përmes aktit normativ të dhënë nga qeveria shqiptare.

Madje ajo shprehet se rishikohet edhe skema e përfituesve.

Anila Denaj: Me fondet buxhetore janë parashikuar të mbështeten drejtpërdrejtë 68% e të gjithë fermerëve me NIPT në shkallë vendi. Në buxhetin e vitit 2024 janë adresuar 3.3 miliardë lekë për skemën e mbështetjes, por ne parashikojmë të rishikojmë disa elementë të efekshmërisë së skemës, që në buxhet afatmesëm shkon më shumë se fondi i parashikuar këtë vit. Ne jemi në një plan pune në MBZHR për ta prezantuar në qeveri dhe kjo mbetet për buxhetin afatmesëm për diskutim.

Është shumë e rëndësishme për ne, që skemat të nxisin prodhimin, produktivitetin dhe jo vetëm formalizimin. Skemat mbështetëse në këto vite kanë ndihmuar ndjeshëm formalizimin e ekonomisë megjithatë ne synojmë të shkojmë më tej, drejt fiskalizimit të ndërmarrjeve dhe fermave tona bujqësore dhe për ketë binomi cilësi dhe shkallë është ajo që motivon bashkimin e operatorëve, ndaj dhe skemat nacionale vitin e ardhshëm do të shtojnë vëmendjen në bashkimin e operatorëve sepse kështu do të tejkalojmë disa nga problematikat si fragmentimi i tokës, etj, me të cilat ballafaqohet çdo ditë.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh e kënaqur nga rritja e konsiderueshme e fondit

Ministrja Albana Koçiu: Buxheti në mbështetje të programeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024 shkon afërsisht 1 miliard euro, shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë. Kjo është një shifër 3.7% më e lartë se buxheti i vitit të shkuar dhe tre herë më e lartë se buxheti i vitit 2013, zë 13.47% të totalit të buxhetit dhe arrin në nivelin 4.06% të PBB-së.

Për vitin 2024 janë rreth 18 mijë mjekë të përgjithshëm, infermierë dhe teknikë të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin parësor e spitalor që do të vijojnë të përfitojnë rritje page. Kjo rritje është në përputhje me premtimin tonë për të rikthyer dinjitetin e mjekut dhe infermierit, si dhe për të vendosur ata si dhe të gjithë punonjësit mjekësor në qendër të transformimit të sektorit tonë shëndetësor.

Projektbuxheti 2024 financon trajtimin për rreth 360 mijë pacientët që parashikohen të trajtohen në spitalet universitare, rajonale dhe ato bashkiake, trajtimin e 1 442 pacientëve me dializë, 10 mijë pacientëve të trajtuar më paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, 4 326 pacientëve të trajtuar më paketën e kataraktës më një vlerë financimi 94.3 milionë lekë, 17 pacientë të trajtuar nga paketa e transplanteve renale, 26 mijë seance apo pacientë të trajtuar me radioterapi me një vlerë financimi 114,274 lekë, si dhe mbulohet financimi i 4.42 milionë ekzaminimeve në vit.

Shkak për zhvillimin e mbledhjeve online është bërë protesta e opozitës që kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimin e emrave në reformën zgjedhore.