Koçiu në konferencën e Kirurgjisë: Investime në teknologji dhe urgjencë, përparësi në mjekësi

Investimet në paisjet modern për zbulimin e sëmundjeve por dhe ndërtimin e godinës së qendrës së urgjencës do të jenë në qendër të vëmendjes së ministrisë së shëndetësisë

Në Konferencën e 30-të të Kirurgjisë Shqiptare  ku morën pjesë mjekë edhe vendet evropiane, ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu e vuri theksin te investimet në spitale. Paisjet që do tu shërbejnë bluzave të bardha, u shpreh ajo, zënë një peshë të konsiderueshme në buxhet.

“Një tjetër pikë kyçe në buxhet janë edhe vijimi i shtimit të pajisjeve moderne dhe teknologjisë së fundit për të bërë diagnostikimin më të mirë, për të shërbyer më mirë qytetarëve. Pas rehabilitimit të plotë të 20 spitaleve dhe 340 qendrave shëndetësore, deri në fund të vitit 2024, ne do të vijojmë të rikonstruktojmë dhe t’i shtojmë Qendrave Shëndetësore edhe 60 godina të tjera”, deklaroi ministrja.

Ndërtimi i një godine mbështetëse për Urgjencën Kombëtare parashikohet të realizohet vitin e ardhshëm.

“Mbështetja për Urgjencën Kombëtare do të ndihmojë akoma më shumë në rritjen e efikasitetit dhe shpejtësisë në reagim, marrjen e trajtimit paramjekësor, duke përmirësuar kështu drejtpërdrejtë dhe punën në Spitalin e Traumës”, theksoi ajo.

Koçiu u shpreh po ashtu se në 2024 do të vijojë rritja e pagave për 22 mijë punonjësit.