Në bashkëpunim me të atin, Dua Lipa drejt rrugës për tu bërë miliardere?!

Këngëtarja e njohur nga Kosova, Dua Lipa, është në drejtimin e duhur për t'u bërë miliardere, e kjo për shkak të një ndryshimi të madh në karrierë, shkruan "The Sun".

28-vjeçarja ka ndarë rrugët me kompaninë e deritashme të menaxhimit.

Këngëtarja e hitit "Don't Start Now", ka vendosur që edhe në karrierë të bashkëpunojë me te atin, Dukagjinin, që ka siguruar të drejtat e publikimit të projekteve të saj.

Te dy ata kanë krijuar një kompani të quajtur "Radical 22 Publishing Limited", për të ndihmuar në menaxhimin e karrierës së Lipës, vetëm pak ditë pasi Dua njoftoi se ka shkëputur raportet me kompaninë menaxhuese "TaP".


"Dua donte të merrte nën kontroll karrierën e saj dhe Dukagjini është i vendosur.

Ai ka menduar se ajo po jepte përqindje të mëdha të fitimeve dhe pasi u bë menaxheri i saj më herët, vendosi që si hap i ardhshëm logjik, të bëhej dhe partner biznesi. Sipas raporteve, ai tani ka prioritet kryesor karrierën dhe suksesin e të bijës.

Lëvizja ngjan me atë të Taylor Swiftit, një super yll që rishkruan "përrallën" dhe bën para vetë", ka thënë revista. “Deri në moshën 40-vjeçare, Dua mund të bëhet miliardere", ka shkruar "The Sun".

Dua Lipa u përmend këtë javë krahas Harry Stylesit dhe Ed Sheeranit, si yjet britanike që bashkë kanë kontribuar në eksportin muzikor të Mbretërisë së Bashkuar, në një vlerë prej mbi 4 miliardë dollarësh më 2022.

Marrëveshja e mëhershme e saj me "TaP" i siguronte 20 për qind të të ardhurave, por tani me ndihmën e të atit, ajo mund t`i rrisë ndjeshëm fitimet.

Javën e shkuar u bë e ditur se "TaP" ka shitur të drejtat e autorit të artistes dhe i ka uruar asaj fat në të ardhmen. Këngëtarja pati nënshkruar marrëveshje me këtë kompani më 2013, kur arriti marrëveshjen me zyrtarin Ben Mawson që e kishte vënë re talentin e saj në një lokal në Londër. Nga shkurti i 2022-s, babanë e kishte menaxher.