KAOS DHE TYM/ Mbyllet seanca, mazhoranca voton ligjet, opozita bën zhurmë
Teksa Kuvendi pritej të niste seancën plenare, debatet brenda sallës do të nisnin para orarit zyrtar.
Kjo pasi deputetët e opozitës vijuan edhe këtë të enjte përpjekjen e tyre për të bllokuar funksionimin e parlamentit derisa sipas tyre, t’u respektohen të drejtat kushtetuese si ajo e ngritjes së komisioneve hetimore.
Nga pamjet e publikuara nga salla, deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e seancave plenare të Kuvendit patën dhe përplasje të shumta verbale mes tyre dhe deputetëve të mazhorancës.
Deputetët e opozitës kanë përmbysur karriket e sallës, ndërsa debatonin pafundësisht me deputetët e mazhorancës.
Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh nga brenda sallës se “Rama ka planifikuar të përdorë dhe ushtrinë si në 1990, por asgjë nuk e shpëton”.
“Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij. Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë.
Ne jemi këtu, siç u kemi dhënë fjalën, o rikthejmë kushtetutën dhe ne nuk tërhiqemi. Kjo është betejë pa kthim. Rikthim i të drejtës së opozitës e cila është e sigluar në kushtetutë për ngritjen e detyrueshme nga parlamenti të komisioneve hetimore. Rikthimi i të drejtës së opozitës për të emëruar përfaqësuesit e saj në komisionet e parlamentit. Rikthimi i të drejtës së opozitës për të ushtruar veprimtarinë e vet ligjvënëse. Ka muaj të tërë që kjo bandë, që ulet këtu pas nesh, mban në sirtar ligjin për minimumin jetik. Unë jam i bindur se ligji për minimumin jetik të shqiptarëve nuk ka deputet që sot nuk do ta votonte”, tha Sali Berisha.
Edhe në këtë klimë kaotike Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vendosi ta niste seancën plenare me leximin e rendit të ditës, ndërsa vijonin përplasjet e deputetëve të opozitës, të cilët kërkojnë të bllokojnë punimet pasi sipas tyre, iu janë shkelur të drejtat kushtetuese si ligjvënës.
Nikolla theksoi se në kushtet e kësaj situate nuk mund të zhvillohet interpelanca me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Salla e Kuvendit vijoi të ishte me karriket e kthyera mbrapsht nga deputetët e opozitës, ndërkohë që deputetët e tjerë refuzuan të merrnin fjalën sipas rendit të ditës, duke i kërkuar Nikollës kalimin menjëherë tek miratimin i projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Dhe ndërsa nisi votimi i drafteve, ishte deputeti demokrat Ervin salianji i cili do ta përshkallëzonte kaosin në sallë, duke ndezur tymuese në foltoren e Kuvendit, një situatë që do të zgjaste për minuta me radhë., por pa mundur të ndalej votimi i drafteve nga ana e mazhorancës.

Në përfundim të miratimit të tyre, kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi mbylljen e seancës plenare të kësaj të enjteje.
DRAFTET E MIRATUARA NË SEANCË NGA MAZHORANCA

Kuvendi miratoi sot:
- Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023””.
- Projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.10 083, datë 23.2.2009, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoëer, sh.a., si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë”.
- Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri – faza II””.
- Projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
- Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), dhe KfË Frankfurt am Main (KfË), për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri” – 2 faza II”.
- Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Evropa Digjitale” (2021-2027)”.
- Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ratifikuar me ligjin nr.31/2021”.
- Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen shoqërore”.
- Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.75/2014, “Për shërbimin privat të sigurisë fizike””.
- Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, të ndryshuar”.
- Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 116/2014 “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë””.
- Projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 65/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionit të Prokurimit Publik”, i ndryshuar”.
- Projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 95/2016, “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”, të ndryshuar”.
- Projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 67/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, i ndryshuar”.
- Projektvendimin “Mbi disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 36/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe nivelit të pagave për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë””.
- Projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 34, datë 20.05.2010 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i ndryshuar”.
- Projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 11/2011 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri””.
- Projektvendimin “Për caktimin e masës së shpërblimit mujor fiks të anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”.







