Përleshje në sallë, Garda futet në mes të deputetëve/ Berisha: Parlamenti nën shtetrrethim, sikur të ishim në Korenë e Veriut, apo Bjellorusi

Ende pa filluar seanca plenare, deputetët e opozitës kanë zbarkuar në sallën e Kuvendit dhe kanë nisur të zbatojnë skenarin e tyre.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga "Ora News", deputetët e opozitës, ku i pranishëm është dhe Sali Berisha, kanë përmbysur karriget.

Ndërkohë, Garda ka ndërhyrë për t’iu paraprirë çdo situate. Kujtojmë se në seancën e kaluar pati përplasje fizike në Kuvend, duke sjellë edhe përjashtimin nga seancat të 6 deputetëve.

Ndërkaq, në një prononcim për mediat, në oborrin e Kuvendit, kryetari i PD-së Berisha thotë se Parlamenti nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale duke iu referuar forcave të shumta që e rrethojnë atë pas paralajmërimit të opozitës se sot nuk do të zhvillohet një seancë plenare normale.

“Parlamenti është vendosur nën shtetrrethim, është vendosur në shtetrrethim! Ky është si të ishte parlamenti i Koresë së Veriut, parlamenti i Bjellorusisë , parlamenti i vendeve diktatoriale.

Është i rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumëllojta të cilat dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, nga opozita e cila po mbron Kushtetutën dhe për rrjedhojë interesat e çdo qytetari shqiptar.

Ndaj ju lutem, dilni e filmoni nga të katër anët dhe shihni, shikoni çfarë ndodh, shikoni se si funksion parlamenti i Edi - Linda Ramës, Lindës së Parlamentit këtu, më falni. Në fakt nuk e di se si është puna, po të ngjashme janë në shumë aspekte.

Ju e shihni çfarë dite është kjo! Pse e gjitha kjo?! Sepse ne po kërkojmë të drejtat tona kushtetuese”, deklaroi Sali Berisha.

LIVE seanca në parlament

Pyetje: Z. Berisha, do të lejoni zhvillimin normal të seancës plenare sot?

Sali Berisha: Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë.

Pyetje: Deputetët e përjashtuar do të vijnë në seancë?

Sali Berisha: Ç’do skenar ju do ta shihni. Ja si është i rrethuar, shiheni në të gjitha anët. Po përgatiten duket se do të drekojnë këtu këta.

Pyetje: Ndërkohë, grevën e urisë e keni paralajmëruar ju ...

Sali Berisha: Edhe ajo do të vijë, ju garantoj.

Pyetje: Do të jetë parlamenti, vendi i grevës së urisë?

Sali Berisha: Do të përzgjidhet dhe ju do ta merrni vesh ndër të parët, por njëherë për njëherë ne vazhdojmë me këto mjete. Ne besojmë se parlamenti nuk funksionon me klandestinitet, nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale dhe të tjera. Parlamenti duhet funksionojë në zbatim të Kushtetutës dhe rregullores së vet.