Fitore historike e korit nga Kosova, në Çmimin e Madh të Kombeve
Kosova ka arritur një tjetër fitore në arenën ndërkombëtare me marrjen e medaljes së artë, në Grand Prix of Nations, në Suedi.
“Sukses të jashtëzakonshëm”, e konsideron ministri kosovar i Kulturës, Rinisë e Sportit, faktin që kori “Siparantum” arriti të fitojë në kategorinë më të lartë të garave, Çmimin e Madh të Kombeve.
Kori “Siparantum” mori pjesë në “Lojërat Evropiane të Koreve”, në Suedi.
“Siparantum” në garë është prezantuar me veprat shqipe “PAX” të kompozitorit, Memli Kelmendi e “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” të Baki Jasharit, sikurse edhe me “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis.
Kori “Siparantum” ka marrë pjesë edhe më herët në të tjera aktivitete ndërkombëtare, madje edhe ka arritur të fitojë disa çmime, si për shembull fitorja në olimpiadën e koreve botërore, World Choir Games 2021, ku u shpall fituesi i kategorisë “The Open Competition – Musica Contemporanea”./ATA


