Nexhi Sula, shqiptarja që studion Inteligjencë Artificiale në Universitetin Saint Louis

Nexhi Sula është një nga studentet shqiptare të Fulbright, e cila po ndjek studimet master për Inteligjencë Artificiale në Universitetin Saint Louis.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bëri të ditur sot se, Nexhi ka përfaqësuar së fundmi Shqipërinë në Seminarin e Pasurimit Fulbright me temë “Eksplorimi i trashëgimisë së Lëvizjes për të Drejtat Civile”.

Ajo iu bashkua Fulbrighters nga më shumë se 60 vende në Atlanta, Xhorxhia, secili duke kontribuar me njohuri unike mbi ndikimin e qëndrueshëm dhe trashëgiminë e Lëvizjes për të Drejtat Civile në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo konferencë ishte një kujtesë se, pavarësisht prejardhjeve tona të ndryshme, ne të gjithë ndajmë një qëllim të përbashkët: të nxisim një botë që është më gjithëpërfshirëse dhe empatike,” tha Nexhi./ATSH/