Shkrimtarja siriano-austriake prezanton në Shqipëri librin e saj, në kuadër të javëve kulturore

Shkrimtarja e njohur siriano-austriake, Luna Al Mousli, ka vizituar disa qytete të Shqipërisë, si Vlora, Kamza, Shkodra e Tirana, ku ka prezantuar librin e saj “Gjyshja, Zoti dhe Britni, takimi në dhomën e ndenjjes ose unë dhe bota islame”, përkthyer tashmë në gjuhën shqipe.

Takimet ku është diskutuar rreth librit, janë zhvilluar në kuadër të Javës Kulturore Austriake. Kjo është hera e dytë që Luna Al-Mousli gjendet në Shqipëri.

Në veprën që autorja siriano-austriake zgjodhi të prezantonte personalisht, ajo rrëfen fëmijërinë dhe rininë e saj, të kaluar mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Damaskut dhe Vjenës, mes kulturave dhe feve të ndryshme.

Luna Al-Mousli sjell kujtimet rreth jetesës në një familje të madhe e kaotike me gjashtë hallat, një turmë kushërinjsh, historitë mbi udhëtimet në Mekë dhe çdo përjetim të saj për 14 vitet e jetuara në Damask.

Pas Javës Kulturore Austriake, do të mbërrijnë eventet e Javës Hungareze, nga 2-6 nëntor./ATSH/