Aktori jep “recetën”: Ja si bëhet Shqipëria. Rregullat e lojës duhen ndryshuar, pasi s’mund të rrinë këta që caktojnë çdo gjë
Anëtari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, dhe njëkohësisht aktori i humorit, Florjan Binaj, në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora Neës” ka folur këtë të mërkurë mbi situatën politike në vendin tonë që ka kulmuar me tensione dhe dhunë në Kuvend.
“Drejtësia në vend, SPAK-u, ka filluar të tregojë dhëmbët dhe ato që shikojmë në Parlament, apo jashtë tij, janë reflektim i gjendjes që po shkakton kjo drejtësi, ku në një pjesë të madhe të njerëzve po thonë që më në fund po merr peshë. Pastaj për secilin personazh flasin vetë punët dhe koha që ata kanë qenë në politikë dhe atë çfarë kanë bërë.
Gjithsesi duhet t’ia lëmë drejtësisë të bëjë punën e saj. Pasi ne e kemi ves që japim përfundimin direkt, duke u bërë si ata që japin përfundimin e një ndeshjeje që akoma nuk ka nisur të luhet. Koha është gjyqtari më i mirë për të gjithë ato që ndodhin në jetë.
Mendoj se në këto 33 vite vetëm qytetari nuk ka qenë në optikën e politikës. Sot jemi në një raport të tillë, ku për dikë që vret një doktor, paguajmë më shumë lekë se sa për një student që do të bëhet doktor dhe që do të zërë vendin e atij doktori që u vra.
Pra paguhesh më shumë kur i bën dëm kësaj shoqërie se sadikush që i bën mirë shoqërisë. Sot një i burgosur paguhet më shumë se sa një kryefamiljare që është e vetme, sepse ajo paguhet 35 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa një i burgosur paguhet 50 euro në ditë për ta mbajtur në burg me taksat tona.
Për të mos folur për kafen, e cila në Shqipëri paguhet më shtrenjtë se diamantet, pasi nëse do të bësh një tender 100 milionë eurosh, do t’i japësh një kafe atij ku do të mbahet 30 për qindëshi, pra një kafe në Shqipëri kushton 20-30 milionë euro, 5 milionë euro, që janë më shumë se një diamant. Dhe këtu pastaj ka bërë që çdo gjë që të mos funksionojë, ku të rinjtë të ikin, të gjithë familjet në nevojë të vuajnë për bukë. Pra kemi një Shqipëri të pasur, por të vjedhur”, u shpreh Binaj.
Nisur nga ky angazhim, Binaj u shpreh se kjo është një lëvizje qytetare, e cila ka të bëjë me të njëjtin aktivizëm që ai ka pasur për çështje të rëndësishme, vetëm se tani janë më të organizuar.
“Ne jemi besimplotë që ka njerëz plot që e duan këtë vend vërtetë, nuk duan karrigen, por vendin dhe ka plot njerëz aq të përulur që e shikojnë këtë vend si një gjë shumë të madhe dhe po nuk u bë Shqipëria nga shqiptarët, atëherë nuk ka për t’u bërë asnjëherë ky vend. Çdo gjë që është premtuar dhe nuk është bërë, dhe çdo gjë që është bërë dhe që nuk është premtuar, këto janë shqetësimet e qytetarëve.
Në jemi një organizatë, dhe jo parti politike që po kërkojmë vota. Ne nuk po kërkojmë asgjë , por që ka marrë përsipër që atë që bëni ju nëpër sheshe ne ta bëjmë në mënyrë më të organizuar. Por unë shikoj që mbulimi mediatik është zero. Nëse nuk do të kishim ne rrjetet sociale, atëherë kjo do të ishte fshirë. Di të them që ka shqiptarë që kujtonin se kur të vinin në Shqipëri do të votonin, por nuk e dinin që ata mund të votonin nga aty ku janë. Dhe kjo është e qëllimshme.
Nuk e dinë ende shumë qytetarë që jetojnë diku në qytetet e vogla ku ne kemi filluar takimet, kujtojnë se me atë votën që do japin njëherë në 2 apo 4 vite do i dridhen gjunjët qeveritarëve tanë, sepse ai është sovrani që të hedh në tokë. Në fakt ai që është lart në pushtet nuk e ka fare problem të ta blejë atë votë, apo që nuk të lë të votosh. Nuk e kanë fare idenë se çfarë fuqie ka qytetari nëse miratohen referendumet, apo që ndryshon Kodi Zgjedhor; nuk e ka fare idenë se çfarë do të thotë të depolitizohet administrata. Ky është qëllimi ynë, që të shkojmë dhe t’i hapim sytë atyre dhe t’i themi shikoni se çfarë po ndodh”, u shpreh Binaj.
Florjan Binaj duket se synon pas këtij angazhimi do të bëjë edhe një hap të ri në karrierën e tij, duke iu bashkuar politikës, me organizatën ku ai aderon së fundmi.
“Këtë do e tregojë koha. Ky është dhe një test që ne duam të dimë nëse kjo shoqëri do të vazhdojë të rrijë kështu siç është apo do të ndryshojë. Ne kemi parë që të gjithë duan ndryshimin.
Shqipëria bëhet duke e dashur Shqipërinë; duke ndryshuar rregullat e lojës. Ku ata që janë fushë caktojnë vetë çdo gjë që lidhet me lojën. Duke ndryshuar pikërisht këto rregulla loje, fillon dhe ndryshon Shqipëria dhe më pas të bëhet ajo”, u shpreh ndër të tjera aktori Florjan Binaj.



