Rritja e eficiencës së prefektit të qarkut, qeveria nxjerr për konsultim projektligjin
Ministria e Brendshme ka nxjerrë për konsultim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107, datë 27.10.2016 “Për prefektin e qarkut”.
Në projektligjin dhe relacionin bashkëngjitur të publikuar në faqen e Konsultimeve Publike online, bëhet me dije se afati i konsultimit do të jetë deri më 26 nëntor 2023, ndërkohë që sqarohet se ky projektligj i është nënshtruar diskutimit mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore.
Ndryshimet propozohen në kuadër të rritjes së eficiencës dhe konsolidimit të performancës së prefektit të qarkut.
Për këtë qëllim është ngritur grupi i punës dhe takimi i parë i tij është zhvilluar me date 31 gusht 2023 në ambientet e Ministrisë së Brendshme.
Projektligji është hartuar nga Drejtoria e Politikave të Çështjeve Vendore dhe Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Brendshme, përgjatë muajit gusht – tetor 2023, duke zhvilluar takimet në Ministrinë e Brendshme.
Projektligji është dërguar për mendim tek ministritë e linjës, në fund të muajit shtator 2023”, bëhet me dije në relacionin bashkëngjitur projektligjit.
Projektakti rregullon problemet e evidentuara nga zbatimi i ligjit të vjetër “Për prefektin e qarkut”, në lidhje me: Krijimin e grupeve të punës dhe taskforcave për të ndjekur politikat e nivelit kombëtar ose emergjencat rajonale; Problematikat në lidhje me përballimin e shpenzimeve për mbarëvajtjen e taskforcave; Nevojat për të përmirësuar verifikimin e funksioneve dhe përgjegjësive të deleguara nga qeverisja qendrore; Përdorimi i fondeve të parashikuara për këto funksione.
Ndër përparësitë e projektaktit, vlen të përmendet: Prefekti i qarkut verifikon dhe monitoron përmbushjen e standardeve kombëtare dhe kritereve të përcaktuara për zbatimin e normave kombëtare;
Drejtuesit e Policisë së Shtetit në qark, informojnë prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit, sipas përgjegjësive e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore;
Planet e veprimit, masat për t’u marrë në qark në rast organizimesh sportive dhe kulturore hartohen në konsultim dhe dakordësi me strukturat e emergjencës së prefektit të qarkut;
Përmirësimi i kuadrit rregullator mbi marrëdhëniet me institucionet qendrore që veprojnë në qark,bashkëpunimi me njëri-tjetrin për realizimin e përgjegjësive të përbashkëta, konsultimin dhe koordinimin e prioriteteve strategjike;
Është shtuar struktura e kabinetit, si mbështetëse e drejtpërdrejtë për realizimin e objektivave dhe vlerësimin e zbatimit të tyre, por që nuk do të jetë pjesë e strukturës hierarkike të prefekturës; Është parashikuar thirrja e ekspertëve të jashtëm në fushat për të cilat nevojitet ekspertiza, si dhe mbikëqyrja e këtij shërbimi nga nënprefekti, përmes fondeve të veçanta në buxhet;
Është parashikuar zëvendësimi i prefektit nga nënprefekti, sipas Kodit të Procedurave Administrative;
Po kështu prefekti monitoron zbatimin e projekteve, programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë dhe sinjalizon institucionet përgjegjëse inspektuese duke propozuar fillim të procedurës së inspektimit për shkeljet e evidentuara;
Gjithashtu prefekti informon ministrin përgjegjës dhe kryeministrin për rezultatet e monitorimit të degëve territoriale që veprojnë në qark.
Po kështu prefekti verifikon përdorimin e fondeve publike apo transfertave të qeverisë qendrore kur ato janë dhënë për arritjen e standardit minimal kombëtare. Po kështu dhe raporti vjetor i performancës së shërbimeve publike të njësisë e vetëqeverisjes vendore është subjekt i verifikimit të të dhënave nga Prefekti.
Po ashtu në kuadër të monitorimit të punës së Bashkive, Prefekti do të ketë të drejtën edhe të propozojë shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë në rast të shkeljeve të rënda kushtetuese.
Kështu në projekt akt vërehet se ë nenin 8 të ligjit aktual numër NR. 107/2016, “PËR PREFEKTIN E QARKUT” propozohen të shtohen dhe 4 pika ndër të cilat është dhe pika m) e cila është e formuluar si më poshtë; “Propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.
Projektligji në total ka 19 nene, ku i fundit është dhe koha e hyrjes në fuqi të tij.

