Bardhi thirrje kolegëve: Në 16:30 mblidhemi për të shkuar në grup në seancë plenare

Pavarësisht se Parlamenti i ka përjashtuar për 11 ditë shumë prej deputetëve të opozitës, këta të fundit ka vendosur të shkojnë në Parlament.

Seanca e radhës është parashikuar për ditën e hënë në orën 17:00, ndërsa grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar siç thuhet në njoftim “në grup në seancë”.

Për shkak të bllokimit të seancës së shkuar parlamentare, çka detyruan kryeparlamentaren ta ndërpresë seancën pa miratuar ligjet. Për këtë arsye, 23 deputetë të opozitës u përjashtuan nga seanca e fundit të Parlamentit.

Me kërkesë të socialistëve, midis deputetëve të përjashtuar janë edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi si dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Bllokimi i seancës erdhi pas nisjes së aksionit të ri të opozitës kundër bllokimit nga ana e mazhorancës në pushtet të komisioneve hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Njoftimi:

Të nderuar kolegë,
Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e rradhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë.

Ndërkohë, mbledhja e rradhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!