Pr/buxheti 2024, 11 miliardë lekë për rritjen e mëtejshme të pagave në disa sektorë
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, në një dalje sot për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratua projektbuxheti 2024, deklaroi se, “ambicia jonë është që siç kemi qenë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon”.
Ai nënvizoi se, projektbuxheti 2024 i miratuar sot i përgjigjet kësaj ambicieje duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.
“Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore”, tha ai.
“Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë”, u shpreh Mete.

