Dalja nga “lista gri” për pastrimin e parave, Balluku: Gur kilometrik për Shqipërinë

Asambleja Plenare e FATF vendosi sot për nxjerrjen e Shqipërisë nga “lista gri”, i njohur ndryshe si monitorim i shtuar.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se ky vendim sjell forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar si dhe konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve.

Balluku ishte e pranishme në mbledhjen e Asamblesë Plenare të FATF-it.

“Angazhimi i qeverisë shqiptare, puna për përmbushjen e reformave, reformimi i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në një Agjenci Inteligjence Financiare, investimi në ndryshimin thelbësor të ligjeve dhe dixhitalizimit të proceseve, kanë qenë të gjitha hapa që janë vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar dhe anëtarët e FATF që sot zhvilloi seancën e saj plenare duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, njëri prej të cilëve është një gur kilometrik për Shqipërinë, dalja e saj nga lista gri. Ky vendim sjell padyshim forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar, konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve dhe një sërë përfitimesh të tjera të cilat rrjedhin nga ky pozicion i ri i Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Sipas Ballukut, lufta për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit është dhe ka qenë në fokus të punës së qeverisë shqiptare dhe do të mbetet një nga angazhimet kryesore të saj në bashkëpunim me partnerët strategjikë.

“Duhet të them dhe kam kënaqësinë që sot në këtë seancë plenare zyrtare patëm mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, patëm mbështetjen e Italisë, Gjermanisë dhe pa dyshim të Mbretërisë së Bashkuar. Në fjalën e tyre secili përmendi faktin se Shqipëria ka bërë një progres të qenësishëm dhe Shqipëria meriton që të largohet nga lista gri. Lista gri është një listë dinamike, e cila ndryshon çdo vit dhe për të thënë të drejtën disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që janë pjesë e Ballkanit sot janë futur në listën gri, ndërkohë që ne kemi dalë për shkak të të gjithë punës, të të gjithë angazhimit”, tha ajo.

Shqipëria u përfshi në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Taskforca e Veprimit Financiar, një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë në 2020-ën.

Taskforca Financiare (FATF) e MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.