Rama: Pamje të mrekullueshme të jetës së egër në Tomor

Monitorimi i faunës ka konstatuar shtimin e kafshëve të egra në parkun kombëtar të malit të Tomorit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet e mrekullueshme të jetës së egër në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorit”, fiksuar nga kamerat kurth të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.

Me sipërfaqe 28 mijë hektarë ky mal me biodiversitet të pasur është habitat dhe për shumë kafshë të tjera të egra si ariu i murrmë dhe kaprolli.

Po kështu janë dhe rezervatet natyrore si Bogova dhe zona Bahollit ku rriten derri i egër, por së fundmi është konstatuar dhe prezenca e ariut të murrmë.

Ligji për monitorimin e gjuetisë në zonat e mbrojtura ka bërë të mundur shtimin e kafshëve të egra në tërësi, madje dhe të drerit, që ishte një specie e rrezikuar. Gjatë viteve të fundit është vënë re dhe shtimi i shpendëve në Berat dhe Skrapar.