Minatorë dhe pensionistë protestë, përplasen me policinë/ Tensione edhe brenda Kuvendit, opozita nuk lejon nisjen e seancës
Teksa pritet që të nisë seanca plenare, pensionistë dhe minatorë po protestojnë para Kuvendit. Ata kërkojnë njëzëri rritje të pensioneve, por edhe miratimin e statusit të minatorit.
Protestuesit pasi i kërkuan policisë që të hapte rrugën, janë konfrontuar me këtë të fundit.
“Na hapni rrugën. Mos na prekni me dorë”, dëgjohet teksa thotë një nga protestuesit. Ndërkohë një tjetër iu drejtohet forcave të policisë se; ‘turp të keni!’.
Berisha e Bardhi mbledhin deputetët
Dhe ndërsa protesta vijon, edhe në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë deputetët demokratë të grupimeve të Gazment Bardhit dhe Salki Berishës po zhvillojnë mbledhje grupi
Gazetari Isa Myzyraj raporton për “Ora News” se duke iu referuar burimeve në mbledhje po diskutohet forma e aksionit të sotëm në punimet e Kuvendit, ku Berisha premtoi dhe nisjen e betejës me këtë mazhorancë.
Deputetët e opozitës pushtojnë Kuvendin, Berisha ne transmetim LIVE
Rreth 45 deputetë të opozitës kanë reaguar sot në seancë plenare duke u përplasur me mazhorancën socialiste.
Përplasjet në Kuvend vijnë si pasojë e bllokimit që mazhoranca socialiste i ka bërë Komisioneve Hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Gjithashtu prej 2 muaj edhe pse mazhoranca ka njohur vullnetin e shumicës së deputetëve për Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, që sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga Lulzim Basha.
Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit është kosideruar si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.



