Burimi: Sjellja e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës hipokrite, Macron i bëri presion me vizat që të ulet në tryezë me Serbinë

Për gazetarin dhe analistin Genc Burimi sjellja e ndërkombëtarëve të angazhuar në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është një sjellje hipokrite, ku ndërsa nuk sanksionojnë Serbinë për sulmin terrorist në veri të saj në 24 shtator, i kërkojnë të ulet në tryezë dhe të nisë bisedimet aty ku janë ndërprerë.

Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, Burimi theksoi se deklaratat e presidentit francez Macron nga Tirana ishin një presion ndaj qeverisë së Kosovës.

“Serbisë duhet t’i vendosin sanksione, pasi Kosova nuk mund të penalizohet, sidomos pas asaj që ndodhi në Banjskë”, u shpreh Burimi.

Ndërsa duke folur për Samitin e Procesit të Berlinit, Burimi theksoi se ka dy qasje të kundërta të qeverisë shqiptare.

“Qeveria e Kosovës ka një qëndrim koherent në Procesin e Berlinit, dhe ndryshe nga ajo është qeveria shqiptare. Rama njëherë është për Open Ballkan, kur u mbyll kjo u kthye sërish tek procesi”, u shpreh ndër të tjera, analisti Genc Burimi.