“Alarm” te Kombëtarja, Mirlind Daku detyrohet të largohet nga grumbullimi, nisin përgatitjet për miqësoren me Bullgarinë
Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë pas fitores së madhe me Çekinë të enjten, për të nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore me Bullgarinë, e programuar për t’u luajtur të martën e 17 tetorit në stadiumin “Air Albania”.
Por mësohet se Mirlind Daku detyrohet të largohet nga grumbullimi i Kombëtares, duke humbur kështu miqësoren me Bullgarinë.
Burime për “Ora News” bëjnë me dije se Daku ka pësuar tërheqje muskulore kështu që do të jetë i padisponueshëm të paktën dy javë.

Trajneri Silvinjo e ka ndarë grupin në dy pjesë, teksa lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Çekisë zhvilluan një seancë të plotë e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatave të ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët të cilët luajtën në ndeshjen zyrtare bënë vetëm shkrydhje në palestër dhe fizioterapi.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka disa ndryshime në listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për miqësoren me Bullgarinë. Sulmuesi Mirlind Daku i është nënshtruar testeve mjekësore për shkak të një tërheqjeje në muskujt e kofshës që pësoi gjatë ndeshje dhe analizat treguan se lojtari ka nevojë për disa ditë pushim në mënyrë që më pas të nisë rikuperimin. Duke qenë se nuk mund të rikuperohet në kohë për miqësoren lojtari është lënë i lirë dhe është larguar nga grumbullimi.
Do të mungojë për kuqezinjtë edhe mesfushori Keidi Bare. Klubi i Espanjolit ka bërë një kërkesë zyrtare nëse lojtari mund të lihet i lirë për shkak se ka ndeshje të rëndësishme në kampionat këtë fundjavë. Stafi teknik pasi diskutoi edhe me lojtarin vendosi ta lërë të lirë që të bashkohet me skuadrën spanjolle.
Ndërkaq, kombëtarja do të lihet pushim të shtunën dhe të dielën do të rikthehet në stërvitje normalisht.
Kombëtarja shqiptare mori dje një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Republikës Çeke.
Kuqezinjtë fituan 3-0 ndaj kombëtares boheme duke hedhur një hap të sigurtë për praninë tonë në Euro 2024 në Gjermani.
Kjo fitore na çon në kuotën e 13 pikëve duke mbajtur vendin në parë në grup, kur kemi ende dhe 2 ndeshje eleminatore për të luajtur.
Do të na mjaftojë vetëm 1 pikë takimin e ardhshëm dhe jemi në Gjermani për Evropian.


