Republika Çeke, Polonia dhe Austria zgjasin kontrollet në kufirin sllovak

Republika Çeke, Polonia dhe Austria po zgjasin kontrollet e tyre të përkohshme kufitare me Sllovakinë me pothuajse tre javë, deri në fillim të nëntorit, në një përpjekje për të frenuar kontrabandën e njerëzve.

“Nuk do të ketë rrugë të paligjshme migracioni përmes Polonisë”, u zotua sot ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kamiński.

“Kabineti në Pragë ra dakord për masën dje në mbrëmje”, tha një zëdhënës i qeverisë.

Masa, fillimisht ishte menduar të përfundonte këtë të premte, por tani ajo do të qëndrojë në fuqi deri më 2 nëntor.

Trafiku ndërkufitar duhet të pengohet sa më pak të jetë e mundur.

“Austria do të vendosë gjithashtu kontrolle në kufirin e saj për 20 ditë të tjera”, tha ministri i Brendshëm Gerhard Karner, në Vjenë.

Sllovakia vazhdon të kryejë kontrollet e saj të rastësishme në kufirin me Hungarinë.

Të katër vendet i përkasin zonës Shengen, në të cilën nuk duhet të ketë kontrolle kufitare.

Masat shtrënguese në kufirin sllovak filluan më 4 tetor. Që atëherë, policia çeke ka kontrolluar 43 749 persona. Në këtë proces u kapën 283 migrantë të paligjshëm dhe u arrestuan 12 kontrabandistë.

Rreth 130 policë janë në detyrë në kufi, i cili është afërsisht 250 kilometra i gjatë.

Deri në vitin 1993, Republika Çeke dhe Sllovakia formuan një shtet të vetëm, Çekosllovakinë, dhe lidhjet ekonomike, kulturore dhe familjare midis dy fqinjëve mbeten të ngushta.

Në Poloni, Kamiński tha se rreth 550 migrantë ishin kapur në kufirin polako-sllovak që nga fillimi i kontrolleve.