Kurti: Ka rrezik të përsëritjes se sulmeve të dhunshme nga strukturat kriminale serbe
Prishtina i druhet përsëritjes së një tjetër sulmi të ngjashëm si ai në Banjskë në 24 shtator. Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se mbështetja që Beogradi i ka dhënë krupeve terroriste i inkurajon këto të fundit për veprime të tjera në dëm të Kosovës dhe autoriteteve.
Kurti tha se kjo u vërtetua nga Serbia me nderimin që u bëri terroristëve të vrarë duke shpallur edhe ditë zie për ta.
“Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke i intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me republikën tonë, vetëm sa i ka inkurajuar”.
Kryeministri u bëri thirrje serbëve të Kosovës në veçanti që të jenë të vëmendshëm nga aktet e dhunës të inskenuara.
“Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Ju ftoj të mbështeteni në Policinë e Kosovës dhe t’i raportoni sjelljet e dyshimta të individëve nëpër komunitetet e juaja”.
Sa i përket sulmit në Basnjskë, akti është dënuar nga BE dhe Shtetet e Bashkuara që i kanë kërkuar Serbisë të bashkëpunojë në hetimin e ngjarjes.
Më 2 tetor, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur dhe se, në bazë të asaj, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.
