Kumbaro në Zvicër: Shpallja e Vjosës Park Kombëtar, vlerësim për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare
Shpallja e Vjosës Park Kombëtar ishte kryefjala e panelit dedikuar kontributit të turizmit në arritjen e objektivave globale të ruajtjes së biodiversitetit i mbajtur në kuadër të Forumit të Liderëve të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës në Zvicër.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte pjesë e këtij paneli bashkë me Presidenten e IUCN, Razan Al Mubarak dhe homologë të tjerë.
Kumbaro tha se kjo ishte një vlerësim për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Shpallja e Vjosës Park Kombëtar ishte kryefjala e këtij paneli, që vjen si prioritet për mbrojtjen e vlerave natyrore, mbrojtje që ecën përkrah zhvillimit të qëndrueshëm, në harmoni të plotë me mjedisin, ku komuniteti lokal luan një rol të qenësishëm në krijimin e eksperiencës turistike me njerëzit pjesë të ekosistemit”, u shpreh Kumbaro.
