Deputeti i PD-së, Sula: Kosova nuk mund të përdoret për lojë politike të ditës

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar me një status në Facebook në lidhje me rezolutën që parlamenti i Shqipërisë ka miratuar pas dy javësh nga sulmi terrorist.

Sula është shprehur se kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon.

Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.

Postimi i plotë i Sulës:

KOSOVA NUK MUND TË PËRDORET PËR LOJË POLITIKE TË DITËS!

Prej 2 javëve në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy draft Rezoluta nga grupet parlamentare të PD dhe PS. Palët gjetën dakordësi sot për të dalë me një qëndrim të përbashkët, që në fakt është qëndrimi i institucioneve të Kosovës.

Kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon.

Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.

Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin.

Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës. ????

Drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës. Mbështetja e qëndrimeve të Kosovës është e vetmja rrugë për të qenë sot krah saj! Të tjerat janë “politikë dite”për t’u shfaqur që ekzistojnë!