E kishte ftuar të ndiqte ndeshjen e Kombëtares, Daku takohet me gruan e heroit legjendar të Kosovës, Agim Ramadani

Kombëtarja shqiptare po përgatitet për dy ndeshjet e radhës, ku më e rëndësishmja është ajo e 12 tetorit me Republikën Çeke, që është për kualifikuesit e Europianit të Gjermanisë.  

Pas kësaj sfide kuqezinjtë, po në “Air Albania” do të përballen me Bullgarinë, por ky takim ka karakter miqësor.

Mirlind Daku është pjesë e kuqezinjve për këto dy sfida dhe ai ka pasur një vizitor shumë të veçantë në grumbullimin me Kombëtaren e Shqipërisë.

Sulmuesin gjilanas e ka vizituar bashkëshortja e komandantit legjendar të UÇK-së, Agim Ramadani.

Daku pas shënimit të golit ndaj Polonisë hoqi fanellën duke festuar dhe në shpinën e tij u ekspozua  tatuazhi me piramidën e kufirit të thyer nga komandanti legjendar Agim Ramadani.

Në një lidhje direkte mes Dakut dhe Shukrije Ramadanit pas kësaj ndeshje, sulmuesi gjilanas e  ftoi gruan e dëshmorit që të takoheshin.

Ky takim i kërkuar ka ndodhur dhe ajo ka marrë edhe një fanellë të Kombëtares me një mbishkrim të veçantë.

Përveç Dakut familjarët e heroit legjendar të luftës në Kosovë janë takuar edhe pjesëtarë të tjerë të kombëtares shqiptare.

“Takim i këndshëm me Mirlind Daku, dhe sportistët që na bëjnë krenarë ! Në kombëtare nuk ka kufinjë, aty kemi Shqipërinë etnike! Ju lumtë djema, ju priftë e mbara e suksesi”, ka shkruar Shukrije Ramadani në profilin e saj në “Facebook”.