Balla: Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit ka hyrë tashmë në një nivel tjetër

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi pas aksionit të policisë, ku në pranga ra edhe shefi i komisariatit të Policisë së Kurbinit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit ka hyrë tashmë në një nivel tjetër.

“Vijon intensivisht procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK kanë arrestuar sot pasdite Shefin e Komisariatit të Policisë Kurbin, i cili dyshohet për bashkëpunim me drejtuesit e një grupi kriminal, ndaj të cilëve janë lëshuar gjithashtu urdhra arresti”, u shpreh Balla.

Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Policia e Shtetit zhvilloi sot megaoperacionin e koduar “Flakë në det”, ku 12 milje nga laguna e Patokut u arrestuan në një mjet lundrues 4 shtetas shqiptar dhe 2 shtetas ukrainas.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë megaoperacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa.

Në vijim të hetimeve intensive dhe të pandërprera në kuadër të operacionit “flakë në det”, të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masat e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit: Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe; Arben Dalipaj, banues në Vlorë; Roland Guza, banues në Durrës; Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.