Dhuna shtazarake për ca bizhuteri, 82-vjeçarja rrëfen tmerrin e grabitjes: Ishte me kapuç, më goditi nga pas, e kafshova

E moshuara Rahime Dardha nga fshati Shenepremte i Divjakës ka rrëfyer për mediat tmerrin e kaluar tre ditë më parë, kur dy persona hynë në banesën e saj me dhunë, e dhunuan dhe i morën bizhuteri floriri.

E moshuara e cila jeton e vetme, tregon mes lotësh dhunën e ushtruar në banesën e saj mesnatën e të premtes.

“Në orën 12:30 u ngrita dhe shkova në tualet. Dola nga tualeti dhe shoh portën të hapur. Kush ma ka hapur mendova, e mbylla dhe shkova te dhoma e gjumit.

Ai ishin brenda, më kapi dhe më hodhi përmbys. Thashë “çfarë bëra unë”. Torturat që kam hequr…

Vetëm më kanë torturuar, ma kthenin kokën si të isha llastik. Dhashë e dhashë, por kam vuajtur torturë të madhe.

Ma mbanin gojën mbyllur që të mos bërtisja. Dua drejtësi. Vetëm një ishte, i maskuar. Më hoqën vathët e floririt.

Nuk më ra as të fikët, isha e vetëdijshme. I kafshova gishtat dhe më lëshoi për të ikur me vrap. Kur shoh më vonë nuk kisha as unazat dhe as vathët. Mirë që nuk m’i kanë shkulur.

Fshiva gjakun fillimisht, që të mos e shihnin të tjerët. Shoqes po i binte të fikët nga gjaku që shihte. Njoftova policinë dhe më pas më çojnë në spitalin e Divjakës.

Dua drejtësi dhe të varen. Unë kam 34 vite që rri këtu, nuk ka ndodhur asgjë më parë. Do më prisnin vajzat biletën në nëntor që të largohesha.

Dua dënimin më të madh për ta. Të vinte të më thoshte, dua lekë, jo të më torturonte mua 82 vjeçe”, theksoi Kaleme Dardha.

Menjëherë pasi kanë mësuar ngjarjen, dy vajzat e saj Rahime Dardha dhe Hasime Goberja janë nisur urgjentisht nga Italia për të ardhur pranë nënës së tyre të dhunuar barbarisht ndërkohë që apelojnë njëzëri për drejtësi.