Shpëtohen të paktën 262 migrantë në ishujt Kanarie
Të paktën 262 migrantë u gjetën dje në brigjet e ishullit spanjoll Kanarie El Hierro, sipas shërbimeve të urgjencës.
Punonjësit e shpëtimit transferuan në mënyrë të sigurtë 103 migrantë në breg.
“Operacionet për të shpëtuar migrantët po vazhdojnë”, njoftoi televizioni shtetëror RTVE, duke cituar autoritetet.
“Ishulli me 11 mijë banorë nuk mund të përballojë kaq shumë migrantë”, sipas qeverisë, ndërkohë disa media e kanë krahasuar atë me ishullin italian të Lampedusës i cili po përjeton një mbipopullim migrantësh.
“Situata është e paqëndrueshme”, tha kryeministri i Ishujve Kanarie Fernando Clavijo.
“Jemi të habitur dhe të hutuar nga heshtja e qeverisë spanjolle, e cila duket se është krejtësisht indiferente ndaj ngjarjeve që lidhen me migrimin, dhe presioneve me të cilat po përballemi”, shtoi ai.
Ndërkohë, shumë migrantë po dërgohen në ishujt më të mëdhenj Kanarie si Tenerife.
Megjithatë, qeveria e ishullit kërkoi masa të jashtëzakonshme dhe urgjente nga Spanja dhe Bashkimi Evropian.
Sipas organizatës spanjolle të ndihmës “Caminando Fronteras”, të paktën 951 migrantë vdiqën në gjashtë muajt e parë të vitit, duke u përpjekur të arrinin në Spanjë përmes detit.


