Shpallet gjendja e luftës/ Izraeli i kundërpërgjigjet sulmeve të Hamasit duke bombarduar Gazën

Ushtria izraelite ka shpallur gjendjen e luftës pas sulmeve masive sot në mëngjes ndaj Izraelit nga Rripi palestinez i Gazës.

Organizata militante Hamas nisi sulmet me qindra raketa dhe me infiltrimin e luftëtarëve të armatosur nga Rripi i Gazës në Izrael. Izraeli është kundërpërgjigjur dhe ka bombarduar Gazën.

“Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant po kryejnë vlerësime të sigurisë në selinë e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv,” tha zyra e Netanyahu, sipas CNN.

Gaza është një nga vendet më të populluara në botë, një enklavë e izoluar bregdetare me pothuajse 2 milionë njerëz të grumbulluar në 140 milje katrore.

I qeverisur nga Hamasi, territori është kryesisht i shkëputur nga pjesa tjetër e botës nga një bllokadë izraelite e tokës, ajrit dhe detit të Gazës që daton që nga viti 2007.

Egjipti kontrollon pikën kufitare jugore të Gazës, Rafah. Izraeli ka vendosur kufizime të rënda në lirinë e lëvizjes civile dhe kontrollon importimin e mallrave bazë në brezin e ngushtë bregdetar.

Shpallet gjendja e luftës/ Izraeli i kundërpërgjigjet sulmeve

Shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, ka deklaruar fillimin e një “operacioni ushtarak” kundër Izraelit, pas një breshëri sulmesh me raketa nga Rripi i Gazës.

“Qëllimi i operacionit Al-Aksa Flood është t’i japë fund “shkeljeve” izraelite”, tha Deif në deklaratën e tij.

Një grua është vrarë dhe 15 persona janë plagosur në sulmet masive me raketa nga Rripi i Gazës që nisën sot në mëngjes, duke ndezur sirenat paralajmëruese në disa qytete anembanë vendit.

“Gruaja rreth 60 vjeç, u plagos për vdekje në një goditje të drejtpërdrejtë pranë qytetit të Gederas”, sipas shërbimit të shpëtimit “Magen David Adom”.

Sulmi masiv nga Rripi i Gazës ishte i befasishëm. Situata ishte përshkallëzuar sërish kohët e fundit, veçanërisht në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Që nga e enjtja, katër palestinezë kanë vdekur në sulmet e tyre ose në konfrontime me ushtrinë.